Bashkohuni me Lëvizjen e Këpucëve të Kuqe!

Shkrimtarja Maria Dabbah ka inicuar Lëvizjen Këpucët e Kuqe, të quajtur “E marta e Këpucëve të Kuqe” në vitin 2012, si një ditë kur gratë mbathin këpucë të kuqe, ndërsa burrat vendosin kravata të kuqe, duke dhënë mesazh për mbështetjen e tyre për udhëheqjen e grave dhe barazinë gjinore në punë.

Që nga atëherë, këpucët e kuqe janë përdorur në shumë ekspozita për të kujtuar gratë që kanë përjetuar dhunë në bazë gjinore, në veçanti ato që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës.

Në festivalin artistik feminist FemFest në Shqipëri në mars të vitit 2023, u bë thirrje publike për të mbathur këpucë të kuqe çdo të martë, si shenjë e solidaritetit.

Së pari, këpucët e kuqe simbolizojnë dhunën ndaj grave dhe të atyre grave që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës kundër grave. Ne vishemi me të kuqe për t’i kujtuar ato, për të mos të mos i harruar kurrë dhe në rend të parë për t’ia kujtuar vetes se për kë luftojmë, për t’i dhënë fund dhunës, normave shoqërore që lejojnë dhunën ndaj grave dhe kundër çdo mosndëshkimi për një dhunë të tillë.

Së dyti, e kuqja është një ngjyrë fuqie dhe simbolizon forcën e grave. Ajo shërben edhe si shenjë solidariteti mes grave. Kur veshim të kuqe, ne angazhohemi të mbështesim gratë e tjera dhe të mos flasim negativisht për to, angazhohemi drejt forcimit të solidaritetit midis grave dhe forcimit të lëvizjes.

E kuqja është një shenjë që ne tregojmë hapur se jemi bashkë si pjesë e një lëvizjeje.