Buxhetimi dhe Taksimi i Përgjegjshëm ndaj Gjinisë: Rritja e Barazisë në Kosovë

Elirjeta Beka, Koordinatorja jonë e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, mori pjesë së fundi në Komunitetin e Praktikës së Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) në Shkup, duke prezantuar punimin e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) me titullin “Taksimi i Përgjegjshëm ndaj Gjinisë në Kosovë: Rritja e Barazisë Përmes Politikave Progresive”. Duke theksuar nevojën kritike për analizën gjinore në politikën tatimore, ku prezantimi i saj u zhvillua gjatë panelit me temën “Strategjitë Kombëtare: Buxhetimi efektiv për barazi”. Pavarësisht se BPGJ është obligim ligjor në Kosovë që nga viti 2015 dhe pjesë e Ligjit për Barazi Gjinore, çështjet si mungesa e harmonizimit me ligjet e tjera, zbatimi jo konsistent nëpër institucionet publike dhe qasja e kufizuar e publikut në anekset e BPGJ-së vazhdojnë. Këto sfida nënvizojnë nevojën për zbatim më gjithëpërfshirës dhe transparent të BPGJ-së.

Sistemi aktual i taksave në Kosovë nuk i merr parasysh plotësisht pabarazitë gjinore, duke përkeqësuar shpesh pabarazitë me të cilat përballen gratë, duke përfshirë normat më të ulëta të punësimit, pagat më të ulëta dhe një barrë më të madhe të punës së papaguar të kujdesit. Për të adresuar këto çështje, RrGK-ja rekomandon eliminimin e paragjykimeve gjinore në tatimet, rritjen e progresivitetit në normat e tatimit mbi të ardhurat personale dhe të korporatave dhe kryerjen e vlerësimeve të ndikimit gjinor të sistemit tatimor. Përveç kësaj, opsionet e politikave si futja e taksave të transaksioneve financiare dhe karbonit, aplikimi i normave të reduktuara të TVSH-së për mallrat thelbësore dhe përjashtimi i produkteve të higjienës menstruale nga taksat janë hapa jetik drejt promovimit të barazisë sociale dhe rritjes së pjesëmarrjes ekonomike dhe drejtësisë për gratë në Kosovë.

Ekspertë të njohur nga e gjithë bota marrin pjesë në Komunitetin e Praktikës, organizuar nga Rrjeti i Mbikëqyrjes së Buxhetit Gjinor, anëtare aktive e të cilit është RrGK-ja. Konferenca u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar.