Zëvendës Shefi i misionit të Ambasadës Britanike në Kosovë Jacob Webber dhe Erëmirë Berisha, Asistente për Zhvillimin e Politikave, më 3 dhjetor janë pritur në zyrën e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) nga Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova dhe Zyrtarja për Avokim dhe Hulumtim për Dhunën me Baza Gjinore, Adelina Berisha.
Rogova fillimisht ka folur për historikun e RrGK-së që nga themelimi. Pjesë e bisedës ishte edhe bashkëpunimi ndërmjet RrGK-së dhe Ambasadës Britanike përgjatë viteve 2008-2009, me projektin “Zëri i Votuesve”. Kurse, Webber ka shprehur interesimin e Ambasadës për të punuar më shumë për çështjet gjinore.
Poashtu, rëndësi ju dha edhe punës dhe aktiviteteve të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), duke treguar se përveç avokimit, përmes këtij fondi bëhet edhe fuqizimi i grave në disa sfera të shoqërisë.
Rogova ka shprehur falenderim për Ambasadën Britanike për përkrahjen e vazhdueshme të aktiviteteve për fuqizimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Tutje, Berisha ka shpalosur punën e bërë nga RrGK gjatë këtij viti, por edhe gjatë viteve të mëhershme, në fushën e Dhunës me Bazë Gjinore. Ndër tjerash, ajo ka përmendur avokimin e bërë për ndarjen e Buxhetit për Strehimoret si dhe ndryshimin e Kodit Penal.