Dokumenti i ri i politikave i RrGK shqyrton përafrimin e ligjeve të Kosovës me ligjet e BE-së mbi barazinë gjinore

 Me 8 nëntor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) publikoi dokumentin më të ri të politikave, Progresi i Kosovës në përafrimin e ligjeve të saj me ligjet e BE-së mbi barazinë gjinore. Dokumenti është shkruar nga dy avokate të njohura evropiane dhe eskperte të barazisë gjinore, Sylvia Cleff le Divellec dhe Katharina Miller, me kërkesë të RrGK-së.  

     Në kontekstin e disa reformave të rëndësishme, të vazhdueshme ligjore dhe të politikave në Kosovë (p.sh., në lidhje me Ligjin e Punës), dokumenti vlerëson masën në të cilën ligjet e Kosovës janë përafruar me Acquis-in për Barazi Gjinore të Bashkimit Evropian (BE). Ekspertet identifikojnë mangësitë dhe japin rekomandime për harmonizimin më të mirë të ligjeve të Kosovës me Acquis-in për Barazi Gjinore të BE-së. Disa nga rekomandimet kryesore, të paraqitura sot nga Këshilltarja Ligjore e RrGK-së, Gresa Rrahmani, përfshijnë:
 
  • Kosova duhet të mbledhë rregullisht të dhënat në lidhje me hendekun gjnor në paga në mënyrë që të lehtësojë monitorimin e saj;
  • Ligji i Punës kërkon disa ndryshime për të përmbushur standardet e BE-së;
  • Përcaktime specifike për ngacmimin seksual dhe dhunën në familje duhet të përfshihen në Kodin Penal; dhe
  • Sanksionet në Ligjin për Barazi Gjinore nuk janë mjaftueshëm të ashpra për parandalimin e shkeljeve të Ligjit dhe në këtë mënyrë nuk janë mjaftueshëm bindëse, siç parashihet me acquis-in për barazi gjinore të BE-së.
  • Zbatimi i Ligjit për Barazi Gjinore mbetet i dobët dhe duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm siç është rekomanduar në Dokumentin e Politikave për të adresuar këtë
 
      Gjatë ngjarjes, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari foli për sfidat e shumta që lidhen me zbatimin e ligjeve të Kosovës që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe anti-diskriminimin. Ai shtjelloi dështimet për zbatimin e nenit të Ligjit për Barazi Gjinore që ka të bëjë me përfaqësimin e barabartë të grave dhe burrave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve të fundit kombëtare dhe komunale. Ai do të përkushtohet për vazhdimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile drejt zbatimit më të mirë të këtyre ligjeve.
     Visar Bivolaku, Zyrtar i Politikave, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë theksoi se: "Barazia midis grave dhe burrave është një nga vlerat themelore të BE-së". "Kosova ka një kornizë ligjore në përputhje me standardet ndërkombëtare [por] nuk është zbatuar mjaftueshëm në praktikë," tha ai. Ai shprehu angazhimin e BE-së për të vazhduar punën e vet me qeverinë dhe shoqërinë civile, drejt avancimit të barazisë gjinore në Kosovë.
     Yllka Soba, Zyrtare e Programit nga Fondacioni Kvinna till Kvinna përgëzoi RrGK-në për "kritikat konstruktive dhe rekomandimet e saj specifike". "Si raporti i parë i këtij lloji, ky është një frymëzim për organizatat e tjera të grave në rajon që mund të ndërmarrin hapa të ngjashëm bazuar në këtë shembull", tha ajo.
     Pas prezantimit të gjetjeve dhe rekomandimeve, panelistët diskutuan dokumentin me të pranishmit. Ombudspersoni dha sqarime për disa çështje, përderisa vuri në dukje disa sfida lidhur me zbatimin e kornizës ligjor. Për shembull, janë rreth pesë procese të ndryshme për trajtimin e diskriminimit, gjë që kontribuon në konfuzion dhe reagim jo efektiv në trajtimin e rasteve të diskriminimit, tha ai. Ai gjithashtu deklaroi se nuk ishte i sigurt nëse ka pasur ndonjëherë një rast të gjykatave të Kosovës për kompensimin e viktimave. Ai theksoi rëndësinë e shpërndarjes së rekomandimeve me akterët kyç, përfshirë ligjvënësit.
            Në përmbyllje, Drejtorja Ekzekutive e RrGK, Igballe Rogova tha se RrGK do të ndajë këtë document me parlamentarët dhe akterët e tjerë kyç, duke i inkurajuar ata që t’i lexojnë rekomandimet me kujdes dhe t’i konsiderojnë ato në proceset e ardhshme të reformës ligjore.
Ky dokument i politikave është shkruar dhe publikuar me mbështetjen e Fondacionit Kvinna till Kvinna, financuar nga Qeveria e Suedisë.