Më 21 mars, në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës Down, organizata Down Syndrome Kosova në bashkëpunim me Forumin Kosovar për Persona me Aftësi të Kufizuar, organizoi Marshin Ndërgjegjësues nën moton “Kosovë më mbështet, fuqizo të drejtën time”, ku u adresuan kërkesat për realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Në këtë marsh, janë bashkuar personat me aftësi të kufizuara, familjarët e tyre, qytetarët e zyrtarë nga institucionet, ku ndër ta ishte i pranishëm edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili informoi të pranishmit se shqetësimet të cilat janë të paraqitura nga personat me aftësi të kufizuara janë aprovuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, në mënyrë që të i shtyjnë institucionet publike të Republikës së Kosovës të bëjnë realizimin e plotë të të drejtave që janë të garantuara me ligjet përkatëse, mbi të gjitha përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në mbarë vendin.
“Një qeveri e një vendi vlerësohet se si i trajton personat që kanë më së shumti nevojë. Unë besoj në vlerat e këtij shteti, në vlerat e institucioneve tona për t’ua bërë mundësinë e barabartë të gjithë personave me aftësi të kufizuara që të ndihen si pjesë e barabartë e shoqërisë kosovare”, tha Jashari.
Përfaqësues nga rradhët e organizatorëve të marshit, deklaruan se protesta të tilla do të organizohen edhe në të ardhem, deri sa të arrihet realizimi i të drejtave të kësaj kategorie.