East West Management Institute, më 16 dhe 17 tetor, organizoi në Tbilisi të Gjeorgjisë një konferencë për “Zbatimin e Përvojave Ndërkombëtare të Avokimit nga OSHC-të”, si pjesë e Projektit për politika, avokim dhe zhvillim të shoqërisë civile në Gjeorgji (G-PAC), të mbështetur nga USAID-i. Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, ishte në mesin e panelisteve të cilat shkëmbyen ekspertizën e tyre në avokim.
Gjatë seancës së panelit në temën “Fushatat avokuese ndërkombëtare: çfarë funksionon e çfarë nuk funksionon” Rogova përshkroi strategjitë avokuese të RrGGK-së, duke përdorur si shembull përpjekjet avokuese të RrGGK-së për ndalimin e dhunës në familje:
1. Hapi 1. Identifikimi i qështjes: Dhuna në familje (DhF) është njëra ndër llojet më të përhapura të dhunës në Kosovë, mirëpo kur RrGGK filloi punon e saj në lidhje me këtë çështje menjëherë pas luftës, korniza ligjore për trajtimin e saj ishte e jo e plotë dhe institucioneve iu mungonte njohuria, ekspertiza dhe procedurat për trajtimin e saj.
2. Hapi 2. Hartimi i strategjisë, ndërtimi i koalicionit, sigurimi i burimeve: RrGGK, si rrejt i organizatave, krijoi strategjinë e saj në lidhje me këtë çështje si pjesë e strategjisë organizative katër vjeçare të saj, në bashkëpunim të ngushtë me akterët e tjerë që punonin në këtë fushë. Strategjia përfshinte hulumtimin, ngritjen e vetëdijesimit, avokimin e drejtpërdrejtë tek palët e interesuara dhe monitorimin pasues. RrGGK ndërtoi një koalicion të fuqishëm të akterëve, një “Trekëndësh të Bashkëpunimit” ndërmjet shoqërisë civile; qeverisë, veçanërisht Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGJ) pranë zyrës së kryeministrit të Republikës së Kosovës; dhe donatorëve / organizatave ndërkombëtare, veçanërisht UNDP-së.
3. Hapi 3. Ndërmarrja e hulumtimit: Me mbështetje nga UNDP-ja dhe nën mbikëqyrjen e ABGJ-së, RrGGK bëri studimin e parë për dhunën në familje, në nivel mbarë kombëtar, me 1,256 gra dhe burra të përzgjedhur në mënyrës së rastësishme. RrGGK po ashtu intervistoi përfaqësues të ndryshëm të institucioneve relevante në tërë vendin (psh. politik-bërësit, gjyqtarët, prokurorët, punonjësit social, strehuesit, punonjësit e mjekësisë ligjore, punonjësit e kujdesit shëndetësor). Raporti rezultues, Siguria fillon në shtëpi, tregoi nivelin e vetëdijesimit të njerëzve dhe institucioneve në lidhje me çështjet e ndryshme që kanë të bëjnë me dhunën në familje, si dhe me numrin e rasteve të formave të ndryshme të dhunës. Raporti përmbante rekomandime të qarta për politika dhe fusha specifike për të cilat nevojitej ngritje të vetëdijesimit.
4. Hapi 4. Formulimi i politikave: Duke shfrytëzuar hulumtimin, RrGGK paraqiti rekomandime për politika specifike në kornizën ligjore me mbështetje të ekspertëve ligjor.
5. Hapi 5. Ndërmarrja e veprimeve: RrGGK avokoi në institucione të ndryshme përkitazi me rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të dala nga raporti dhe të instalimit të kornizës ligjore të rekomanduar, duke u takuar me ta dhe duke i diskutuar rekomandimet gojarisht. Përfaqësueset e RrGGK-së, më pas, morën pjesë në grupin e punës të qeverisë gjatë procesit të hartimit të kornizës ligjore, duke përfshirë edhe Ligjin e ri për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, ndryshimet në Kodin Penal, Procedurat Standarde të Operimit të dërguara në të gjitha institucionet me qëllim të adresimit të rasteve të dhunës në familje, si dhe në Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.
Në ndërkohë, RrGGK organizoi disa fushata për ngritjen e vetëdijesimit rreth formave të ndryshme të dhunës në familje. Aty përfshihet prodhimi i videove muzikore kundër dhunës në familje nga këngëtarë të famshëm; demonstrata në rrugë me përfshirjen e qytetarëve (duke përfshirë edhe burrat që ndërmarrin veprime kundër dhunës ndaj grave); duke i përfshirë mediet për të treguar se qytetarët do të reagojnë atëherë kur gjykatat nuk i përmbushin përgjegjësitë e tyre; si dhe duke punuar me institucione në zhvillimin e aftësive të tyre për ta trajtuar më mirë dhunën në familje.
6. Hapi 6. Monitorimi: Është me rëndësi që të mos ndaleni kur t’i arrini qëllimet tuaja. Monitorimi është me rëndësi thelbësore për sigurimin e zbatimit. Që nga koha kur korniza e re ligjore ka hyrë në fuqi, RrGGK ka publikuar edhe dy raporte të tjera hulumtuese të orientuara drejt politikave, duke u fokusuar në qasjen në drejtësi për të mbijetuarat e dhunës në familje, si dhe nëbuxhetin shtetëror për zbatimin e kornizës ligjore, domethënë., se a janë ndarë fonde të mjaftueshme. Intervistat rreth këtyre publikimeve në njëfarë mënyre kanë shërbyer për t’i obliguar zyrtarët të japin llogari për përgjegjësitë e tyre sepse shumë zyrtarë dëshironin të tregonin se ata i kanë marrë me seriozitet rekomandimet e raportit të parë të RrGGK-së dhe se janë duke punuar në zbatimin e tyre. RrGGK, pas publikimit të secilit raport, është takuar edhe një herë me institucione për të avokuar për zbatimin e rekomandimeve të reja.
RrGGK gjithashtu ka ndërmarrë veprime kur kanë ndodhur raste të dhunës në familje, duke kërkuar drejtësi. Për shembull, në rastin e Diana Kastratit, një grua e re e vrarë në mes të ditës nga ish-bashkëshorti i saj, nga i cili ajo kishte kërkuar urdhër për mbrojtje, RrGGK bashkë-organizoimarshin me familjen e saj, me miq, studentë, politikanë dhe akterë të tjerë të cilët marshuan deri tek gjykata që nuk i kishte dhënë asaj me kohë urdhrin për mbrojtje. Duke ndezur qirinj në nder të saj pranë gjykatës, një aktivitet ky që u mbulua nga shumica e medieve kombëtare, pjesëmarrësit demonstruan një dënim të fuqishëm publik ndaj gjykatës dhe ndaj dhunës në familje.
Ndërsa RrGGK vazhdon monitorimin edhe sot, puna në lidhje me dhunën në familje ka treguar disa rezultate pozitive, duke përfshirë një kornizë më të mirë të politikave dhe përmirësim të njohurive në mesin e institucioneve përkitazi me krimet që ndërlidhen me dhunën në familje. Mësimet e nxjerra nga kjo përvojë tregojnë se “trekëndëshi i bashkëpunimit” në mes të qeverisë, shoqërisë civile (duke përfshirë mediet), dhe akterët ndërkombëtarë është i rëndësishëm; dhe se të gjithë hapat e lartpërmendur të ciklit të avokimit janë të rëndësishëm, nga identifikimi i çështjes deri te monitorimi. Nëse njëri aspekt mungon, të tjerët nuk janë të suksesshëm.
Rogova po ashtu mori pjesë në panelin për “Mobilizimin e mbështetjes qytetare nëpërmjet mjeteve tradicionale dhe teknologjike dhe burimeve alternative të financimit për fushata të avokimit”.
“Në mënyrë që qytetarët të marrin pjesë, është me rëndësi që ata të shohin se personat që iu bëjnë thirrje të veprojnë janë gjithashtu duke luftuar për interesat e tyre,” tha ajo. “Ne si aktivistë duhet të jemi publikisht aktiv në mbrojtjen e interesave të qytetarëve në mënyrë që njerëzit të na besojnë dhe të bëhen aktiv. Aktivizmi nuk nënkupton vetëm të kemi një zyrë”.
Ajo përmendi disa mënyra për mobilizimin e mbështetjes qytetare. Mediet vendore, Facebook-u dhe Twitter-i mund të përdoren për të përhapur informacionin dhe për të mobilizuar njerëzit për demonstrata ose veprime. Është e rëndësishme që të jemi aktiv në teknologji, tha ajo, duke postuar informacione në kohën e duhur dhe duke i etiketuar njerëzit në postime.
Një tjetër mënyrë si RrGGK i përfshin njerëzit dhe siguron mbështetje është nëpërmjet programit të saj të anëtarësimit, i cili i inkurajon organizatat dhe individët (përfshirë edhe burrat) që të bëhet anëtarë në këmbim të një tarife nominale për anëtarësim. Si shpërblim, RrGGK iu ofron anëtarëve të saj shërbime dhe përfitime.
Rogova gjithashtu shpalosi informacione në lidhje me përpjekjet alternative të RrGGK-së për mbledhjen e fondeve. “Jo gjithmonë për avokim nevojiten para”, tha ajo. “Ju mund të bëni shumë edhe pa para.” Për shembull, organizatat mund të përfshijnë vullnetarë dhe të rinj, siç ka vepruar p.sh. RrGGK në organizimin e Një Miliard në Këmbë me pothuajse asnjë mjet financiarë. Përfshirja e të rinjve u ofron atyre hapësirë ”‹”‹në udhëheqjen e veprimeve si dhe përvojë të cilën ata mund ta përdorin në karrierën e tyre të ardhshme. RrGGK po ashtu organizon evenimente për mbledhje të fondeve, siç janë ndejat apo gala mbrëmjet. Bizneset vendore mund të sigurojnë kontribut të rëndësishëm, si materiale promovuese me zbritje apo pa pagesë; ose këngëtarët apo aktorët mund të dhurojnë kohën e tyre për ngritjen e vetëdijesimit. Zyrtarët mund të mundësojnë përdorimin e hapësirave publike pa pagesë dhe të dhurojnë pije apo dreka në mbështetje të përpjekjeve të avokimit.
Është e rëndësishme që t’i falënderoni ata të cilët kontribuojnë duke iu dërguar letra të shkruara me dorë dhe t’i përmendni në materialet e publikuara, tha Rogova. Organizatat gjithashtu duhet që më pas të njoftojnë se si i kanë përdorur donacionet dhe për çfarë ndryshimesh ka kontribuar mbështetja e qytetarëve dhe bizneseve. “Qëndroni në kontakt duke dërguar e-maila lidhur me punën tuaj,buletine, postime në Facebook si dhe raportin vjetor në mënyrë që ata t’i shohin arritjet tuaja dhe bëni transparente financat tuaja,” tha Rogova. “Kjo do të tregojë transparencën dhe mund t’i nxis ata të mbështesin përsëri punën tuaj në të ardhmen.”