“Drugëza” avokon për të drejtat pronësore të grave në Skenderaj 

Një numër tejet i vogël i grave kanë realizuar të drejtën pronësore, sado që kjo e drejtë u garantohet atyre me ligj. 

Për ta adresuar këtë, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Drugëza më 29 janar ka mbajtur tryezën “Të drejtat e grave në pronë, sfidat dhe mbështetja institucionale në këtë aspekt”, në kuadër të nismës “ Avancimi i të drejtave të grave në pronë dhe fuqizimi ekonomik i tyre”. 

Në këtë takim përveç grave përfituese nga kjo nismë, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues nga Komuna e Skenderajt, si dhe nga shoqëria civile. 

Hana Zabeli, Drejtore Ekzekutive në OJQ Drugëza ndau informata të përgjithshme lidhur me nismën dhe rëndësinë që ajo bart në vete. 

Drejtori për Gjeodozi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Skenderajt, Ramiz Shala ka shpjeguar procedurat për bashkëpronësi dhe për regjistrim të pronës në rast të trashëgimisë. 

“Falë udhëzimit administrativ është rritur regjistrimi i pronës në emër të dy bashkëshortëve për 185% krahasuar me vitet e mëparshme”, u shpreh Shala, duke inkurajuar për shfrytëzim sa më të madh të këtij udhëzimi. 

Tryeza u shoqërua me një diskutim të hapur, ku ndër tjerash një asambleiste e Kuvendit Komunal të Skenderajt vuri theksin te mendësia patriarkale, si pengesë për të kuptuar dhe realizuar të drejtat e barabarta në pronë. 

“Nuk i kemi vetëdijësuar fëmijët që si vajza poashtu edhe djali kanë të drejta krejtësisht të barabarta në pronë. Për këtë të drejtë kërkohet shumë punë, sidomos në Komunën e Skenderajt”, tha ajo. 

Kujtojmë se rritja e përqindjes së grave që kanë qasje në trashëgimi dhe pronë është pjesë e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022. 

Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga UN Women.