Edhe Kosova pjesë e fushatës globale #WikiGap

 UN Women në partneritet me Ambasadën Suedeze në Prishtinë dhe Kosovalive, organizuan ngjarjen “Wiki-Edit-A-Thon” (maratona e editimit në wiki) me qëllim që të rritet numri i zërave të vajzave dhe grave online dhe të rritet përmbajtja online për gratë, paqen dhe sigurinë.

“Wiki-Edit-A-Thon” mblodhi dhjetra vajza dhe djem nga e gjithë Kosova të cilët kontribuan në rritjen e numrit të artikujve online mbi gratë, paqen dhe sigurinë.
Megjithëse ka gjithnjë e më shumë dëshmi që tregojnë se gratë janë akterë të fuqishëm për paqen e qëndrueshme në komunitetet dhe popujt e tyre, ende ekziston nevoja që të sigurohet përfaqësimi i grave në të gjitha proceset e drejtësisë tranzicionale në Kosovë.
          Folës në këtë takim ishin: Henrik Nilsson, Ambasadori i Suedisë në Kosovë; Annette Fath-Lihic, Këshilltare kryesore politike e PSBE/Koordinatore ekzekutive në Zyrën e Bashkimin Evropian në Kosovë; Rozafa Kelmendi, Menaxhere e Projektit në UN WOMEN; Annea Hapçiu Drejtore për Zhvillim si dhe Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK.
        “Mungesa e barazisë gjinore është problem universal dhe të gjithë do të përfitonin nga ndryshimi i kësaj gjendje. Hulumtimet, përvoja jonë si dhe përvojat e të tjerëve tregojnë se barazia gjinore kontribuon për një mirëqenie më të mirë dhe shoqëri më paqësore. Suedia është vendi i parë në botë me politikë të jashtme feministe. Kjo buron nga një bindje morale për drejtësi dhe të drejtat e njeriut, por edhe për shkak se barazia gjinore është kushti themelor për paqe, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm”, tha në fjalën e tij hyrëse Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson.
        Ndërsa gjatë fjalimit të saj frymëzues, për rrugëtimin e saj si aktiviste, Igballe Rogova theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjëve në proceset që ndërlidhen me barazinë gjinore, paqen dhe sigurinë duke informuar pjesëmarrësit më shumë për aktivizmin e grave gjatë viteve të 90-ta në Kosovë dhe për historikun e veprimtarinë e shoqatës “Motrat Qiriazi”, duke vazhduar tutje me rrëfime për rrugëtimin e përfshirjes së grave në proceset vendimmarrës.
        Kjo ngjarje është pjesë e fushatës globale #WikiGap, që fillimisht është lansuar nga Wikimedia në Suedi dhe Ministria e Punëve të Jashtme tw Suedisë. Ngjarje të ngjashme tashmë janë mbajtur në më shumë se 50 vende të ndryshme të botës me qëllim që të përmirësohet përfaqësimi i grave në internet si dhe të ndihmohet në krijimin e një bote me më shumë barazi gjinore.
Ngjarja e organizuar në Prishtinë është pjesë e projektit të UN Women “Perspektiva Gjinore në Drejtësi Tranzicionale” e financuar nga Bashkimi Evropian.