Elisabeth Kaestli, aktivistja zvicerane e të drejtave të grave shënon 25 vjetorin e lidhjes së saj me Kosovën

Erdhi në Kosovë 25 vjet më parë. Dhe që atëherë Kosova ka zënë një vend të veçantë në zemrën e saj. Është kjo Elisabeth Kaestli, autore dhe aktiviste për të drejtat e grave, një grua e fuqishme e cila përmes penës së saj solli histori që në fokus kanë gruan, rëndësinë e avancimit të të drejtave të saj dhe rolin e madh që një grua e fuqishme luan në shoqëri.

Ajo po e viziton Kosovën këto ditë për të shënuar 25 vjetorin e ardhjes në Kosovë bashkë me gratë aktiviste që i takoi në vitin 1998, por edhe me miket tjera që i zuri gjatë periudhave të ndryshme sa qëndroi në Kosovë.

“Për herë të parë erdha në Kosovë në nëntor të 1998, në kohën kur po punoja si gazetare me Zyrën zvicerane të Shtypit, e specializuar në çështjet e refugjatëve.

Në atë kohë kisha qenë në Bosnjë, Kroaci dhe më pas erdha edhe në Kosovë. Këtu sapo kishte filluar lufta. Për mua ishte shume mbresëlënëse të gjendesha në një situatë të tillë. Unë udhëtoja në Kosovë me konvojin (e Shoqatës Humanitare) “Nënë Tereza” dhe në atë kohë takova Igballe Rogovën (Igo), Latife Nezirin dhe gratë e tjera që iu ndihmonin refugjatëve.”

Përveç situatës së rënduar për shkak të luftës, Elisabeth u interesua edhe për jetën e grave në Kosovë, në veçanti të atyre që burrat, etërit dhe vëllezërit i kishin në mërgim dhe vetë kujdeseshin ta mbanin familjen.

“E kuptova se ka shumë gra në Kosovë burrat e të cilëve punonin në Zvicër. Doja ta analizoja  jetën e këtyre grave,” shpjegon ish gazetarja, e cila vendosi ta shkruajë librin “Gratë në Kosovë.”

Teksa bisedojmë për përvojën e saj në përpjekjet për të avancuar të drejtat e grave dhe vajzave në Zvicër dhe Kosovë ajo rrëfen një storie interesante.

“Në vitin 1998 e takova një koleg zviceran në Kosovë, i cili më tha ‘ky patriarkat në Kosovë nuk do të ndryshojë kurrë’. Unë i thashë do të ndryshojë edhe më shpejt sesa në Zvicër. Dhe me të vërtetë u dëshmua se ai e kishte gabim. Unë e kuptova se lufta për të drejtat e grave në Kosovë ishte po ajo që kishim bërë ne në Zvicër kur unë isha e re. Por, mendoj se këtu u arritën të drejtat më shpejt sesa te ne,” shprehet Elisabeth.

Në rrëfimet e saj për kohën e kaluar në Kosovë dekada më parë, Elisabeth sjell në mendje vizitën e parë që kishte bërë në Has bashkë me Shoqatën për Arsimimin e femrës “Motrat Qiriazi”.

“Më kujtohet kur erdha për herë të parë pas luftës në 1999 u hap një qendër e grave në rajonin e Hasit. Shkova atje me Igon dhe pamë që kodra ishte mbushur plot jo vetëm me gra, por edhe me burra. Ne në Zvicër nuk i ftonim burrat dhe mua mu duk qesharake, por Igo me tha ‘nëse na mbështesin burrat, atëherë me gratë do të punojmë lirshëm’. E kuptova që ky ishte një hap shumë i mençur dhe strategji shumë e mirë,” rrëfen ajo.

Ndërsa pimë kafe në një nga restorantet e kryeqytetit e pyes nëse rrobat e kuqe që kishte veshur ndërlidheshin me fushatën e Rrjetit të Grave të Kosovës, për të veshur këpucë ose diçka të kuqe çdo të marte për të treguar solidaritet mes grave dhe vajzave.

“Po, pikërisht. Unë isha dje në RrGK dhe mora vesh për këtë nismë, prandaj jam veshur me të kuqe, sepse mendoj se solidariteti mes grave është shumë i rëndësishëm. Ne duhet ta mbështesim njëra tjetrën, mos ta kritikojmë, sepse në këtë mënyrë e forcojmë rolin e grave në shoqëri. Nëse ne nuk e mbështesim njëra-tjetrës, as burrat nuk do e bëjnë. Pra, ne duhet të fillojmë,” thotë Elisabeth e cila ishte ndër personat e parë që u bë mbështetëse individuale e RrGK-së. Për më tepër ajo e ka promovuar RrGK-në gjerësisht dhe ka ngritur fonde për punën e RrGK-së.

Elisabeth Kaestli ka shkruar edhe libra të tjerë për Kosovën: Shtatë vëllezë, shtatë motra- një familje kosovare në botë” dhe “Hendeqe dhe Ura, miqësitë në Ballkan para dhe pas luftërave, gjashtëmbëdhjetë portretet.” Këtë të fundit e shkroi pasi dëgjoi një histori prekëse për dy mike që i përkisnin dy etniteteve të ndryshme. Kur shpërtheu lufta, ato u detyruan të merrnin anë të ndryshme duke u kthyer në armike të përbetuara. Mirëpo, vite më vonë, kur konflikti kishte përfunduar, një nga miqtë e përbashkët u sugjeroi që të takoheshin sërish. Njëherë hezituan, por në fund ranë dakord. Kur u takuan, e kuptuan se kishin më shumë të përbashkëta sesa kishin menduar dhe rikthyen miqësinë e tyre.

Elisabeth dëgjoi histori të panumërta si kjo dhe kuptoi se realiteti i jetës është shumë më kompleks se modeli bardh e zi që shpesh portretizohet në media. Nëpërmjet rrëfimit të saj, Elisabeth Kaestli ishte në gjendje t’i lidhë njerëzit përtej linjave etnike dhe t’i bashkonte ata. Ajo tregoi se pavarësisht konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, ka ende shpresë për paqe dhe pajtim.

RrGK shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Elisabeth Kaestli për gratë në Kosovë dhe për RrGK-në.