Feministët e rajonit mblidhen për të diskutuar për vrasjen e grave

 Nën mikpritjen e Qendrës së Grave Autonome, aktivistë feministë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, zhvilluan takime në datën 1 dhe 2 shkurt 2018 për të diskutuar dhe shkëmbyer njohuri dhe përvoja lidhur me monitorimin e vrasjes së grave në këto vende. Kosova u prezantua në këtë takim nga Rrjeti i Grave të Kosovës. 
      Përfaqësues nga secili vend u treguan të tjerëve për situatën e përgjithshme të vendeve të tyre përkatëse, duke u përqendruar te dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre si dhe te puna që ata bëjnë për të parandaluar dhe luftuar këto dukuri. Aktivistët feministë ranë dakord që gjendja lidhur me dhunën ndaj grave vazhdon të mbetet një shqetësim i përbashkët në shoqëritë e të gjitha vendeve. 
      “Ulemi së bashku për të diskutuar sepse kështu ka qenë trashëgimia e feministëve që kanë punuar së bashku përtej kufijve gjatë viteve 90. Ne duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë në vazhdimësi të kësaj tradite”, u shpreh Aleksandra Nestorov-i, përfaqësuese e Qendrës së Grave Autonome. 
      Për të rritur përpjekjet e përbashkëta në drejtim të parandalimit të vrasjes së grave, përfaqësuesve iu dha mundësia të fitonin përvojë nga Qendra për të Drejtat e Grave në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila, për tetë vjet, ka monitoruar rastet e dhunës kundër grave dhe rastet e vrasjes së tyre në Bosnje dhe Hercegovinë. Ideja e këtij organizimi ishte të krijonim një metodologji të ngjashme për rajonin, që të gjurmonim dhe të monitoronim rastet e vrasjes së grave. 
      Ky takim ishte pika fillestare e një nisme të përbashkët që do të ndërmerret nga aktivistët e rajonit lidhur me këtë çështje. Pjesëmarrësit ranë dakord të hartonin një dokument koncept ku do të përfshihet një analizë e problemeve dhe nisma të përbashkëta avokimi të cilat do të ndërmerren nga aktivistët e rajonit për të luftuar problematikën e dhunës ndaj grave dhe vrasjes së tyre.