E organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), me 25 janar, në hapësirat e kafiterisë “Kadare Bar & Books” në Prishtinë, u mbajt panel diskutimi “Feminizmi, solidariteti dhe rezistenca e grave në Kosovë”. Paneli përbëhej nga Linda Gusia, feministe dhe ligjëruese në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit “Hasan Prishtina” dhe Blert Morina, feminist dhe aktivist për të drejtat e komunitetit LGBTI, njëherit drejtor i Qendrës për Barazi dhe Liri (CEL), ndërsa paneli u moderua nga Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive e QKSGj-së.
Si lëvizje, feminizmi rishtazi po përqafohet nga vajzat, gratë, djemtë e burrat gjithandej botës, e në këtë trend është edhe Kosova. Sot, në Kosovë, çdo ditë e më shumë shohim të rinjë e të reja që identifikohen me lëvizjen feministe e që në përditshmërinë e tyre po angazhohen drejt barazisë gjinore. Por, lëvizja feministe në Kosovë ka filluar më herët. Gratë dhe vajzat në Kosovë kanë dhënë kontributin e tyre drejt barazisë gjinore, kauzë kjo kryesore e feminizmit. Roli i grave dhe vajzave në procese të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë dhe të zhvillimeve politike ka qenë i lartë, por pak i njohur.
Në këtë aspekt, Linda Gusia gjatë fjalimit të saj përmendi rolin e lëvizjes së grave qysh nga vitet e ‘70-ta e ‘80-ta të shekullit të kaluar. Ajo poashtu foli rreth llojeve të ndryshme të feminizmit që sot manifestohen nëpër botë, ndërsa rëndësi ju dha bashkëpunimit në mes të aktivistëve/eve të ndryshëm/me drejt arritjes së qëllimit të përbashkët, që është barazia gjinore dhe respektimi i të drejtave të grave.
Ndërsa, Blert Morina theksoi aktivizmin si mjet drejt barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ai përmendi rolin e solidaritetit dhe të bashkëpunimit mes aktivistëve si një mënyrë e mirë drejt arritjes së barazisë por edhe si mjet për të ndikuar në mobilizim të qytetarëve. Mes tjerash ai përmendi organizimin e “Paradës së Krenarisë”, e cila për shkak të solidaritetit dhe bashkëpunimit në mes të aktivistive pati një sukses që u përmend si një tregim suksesi edhe nga mediat e ndryshme botërore.
Pjesëmarrësit në këtë panel u pajtuan që vetëm nëpërmjet solidaritetit dhe bashkëpunimit të aktivistëve që përfaqësojnë grupe të ndryshme, do të mund të shtyhet përpara kauza e barazisë gjinore. Gratë nga vendet rurale, urbane, gratë me arsimim formal apo jo-formal, gratë me përkatësi të ndryshme etnike, kulturore e fetare, gratë me orientim të ndryshëm seksual, por edhe secili person që e ndjen veten feminist/e u ftuan nga pjesëmarrësit të i bashkohen lëvizjes feministe dhe aktivizmit drejt arritjes së barazisë gjinore.
Znj. Demolli nga QKSGj njoftoi pjesëmarrësit/et se ky është paneli i parë i kësaj natyre, ndërkaq paneli i dytë, me një temë tjetër, do të organizohet në muajt në vijim. Ndërkaq, znj. Gusia theksoi rëndësinë që diskutimet e tilla të zhvendosen në hapësirat e Universitetit Publik, ku edhe u vendos që të mbahet takimi i rradhës. Këto panel diskutime janë përkrahur nga Fondacioni Kvinna till Kvinna.