Organizata Femra për Femrat me Aftësi të Kufizuar në partneritet me Klubin e Basketit me Karroca –“Marsi” në kuadër të projektit “Integrimi i Personave me Aftësi të Kufizuar në jetën politike dhe sociale” kanë filluar me punëtoritë për hartimin e Planit të Veprimit për Persona me Aftësi të Kufizuara 2015-2017 në nivel lokal, gjegjësisht për qytetin e Prizrenit.
Pjesëmarrës në takim ishin zyrtarë të lartë pranë zyres së Kryeministrit, zyrtarë nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, zyrtarë të Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe shumë pjesëmarrës tjerë nga komuna e Prizrenit.
Znj. Drita Vukshinaj, drejtoreshë e organizatës FFAK bëri hapjen e takimit duke shpalosur para pjesëmarrësve planin e organizatës drejt realizimit të këtij qëllimi. Plani i Veprimit do të hartohet duke u bazuar në Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës. Me anë të këtij plani synohet përmirësimi i gjendjes aktuale në fushën e shëndetësisë, mirëqenies sociale, punësimit, edukimit, mbrojtjes ligjore, pjesëmarrjes, informimit si dhe komunikimit.
Znj. Armenda Berani – Rozhaja, zyrtare e lartë pranë zyres së kryeministrit bëri prezantimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës duke i njoftuar të pranishmit më gjerësisht rreth përmbajtjes së kësaj strategjie.
Ajo tha se “vizioni i strategjisëështë që të krijojë një jetë më të mirë për qytetarët tanë, respektivisht për personat me aftësi të kufizuar”. Po ashtu, ajo shprehu gatishmërin për të ndihmuar organizatën në përpilimin e këtij plani të veprimit.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës duke përfshirë këtu edhe personat me aftësi të kufizuar.
Komuna e Gjilanit dhe e Vitisë janë ndër komunat që tashmë kanë hartuar Planin e Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar, pjesë e së cilës pritet të bëhet edhe komuna e Prizrenit me iniciativën e FFAK-së dhe KBK Marsit, andaj u rekomandua që të merren si mostër këto dy plane ekzistuese.
Znj. Vukshinaj ndër të tjera shtoi se nga ky plan do të përfitojnë shoqatat për barazi gjinore prandaj është i rëndësishë realizimi i një plan veprimi i cili është i realizueshëm.
Ndërsa Znj. Mybexhele Zhurri zyrtare e lartë për të drejtat e njeriut pranë kuvendit komunal tha se do të avokojë bashkërisht me Lobin për Barazi Gjinore që të formohet komiteti konsultativ në kuadër të Kuvendit Komunal i cili do të përbëhet nga persona adekuat që merren me të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.
Z. Arben Shala konsulent në fushën e planifikimit strategjik tha se metodologjia që do të përdoret është po e njëjta strategji që përdoret në përpilimin e strategjive në nivel shteti. Draft dokumenti i Planit të Veprimit përbëhet prej 5 objektivave strategjike të cilat janë të zbërthyera në nivel komunal. Gjatë takimit u shkëmbyen ide, sugjerime dhe kritika në mes të pjesëmarrësve.
Vlen të theksohet se dinamika e punës për hartimin e planit të veprimit do të jetë tejet e shpejtë, për të vetmen arsye sepse në muajin shtator planifikohet buxheti për vitin 2015-2017 dhe deri atëherë Plani i Veprimit duhet të definohet dhe aprovohet prej asamblesë komunale. Me aprovimin e këtij Plani të Veprimit do të përmirësohet cilësia e jetesës së Personave me Aftësi të Kufizuar e kryesisht grave.
Ky projekt është mbështeturnga Fondi i Grave të Kosovës me shumën 7,060 Euro dhe financohet nga Austrian Development Strategy (ADA).