Me 12 qershor, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mbajti Sesionin Orientues, njëkohësisht edhe konferencën për media, për të shpallur zyrtarisht 31 përfitueset e 27 granteve të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) me shumën prej 99,842.35€. Prej këtyre granteve, ndër të cilat katër janë partneritete, 56,434.25€ financohen nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa 43,408.10€ financohen nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).
FGK, duke mbështetur këto iniciativa të organizatave që drejtohen nga gratë, kontribuon në ndryshimet që ato mund të bëjnë në komunitetet e tyre. RrGGK, përmes FGK gjithashtu inkurajon solidaritetin në mesin e aktivisteve të të drejtave të grave dhe të vepruarit së bashku si lëvizje e grave në kuadwr të zbatimit të Strategjisë së RrGGK-së për 2015-2018, e cila është për përpiluar dhe miratuar bashkë me organizatat anëtare të RrGGK-së.
Gentiana Murati, Kordinatore e FGK-së të RrGGK-së, dhe Besa Shehu, Menaxhere e Financave të RrGGK-së, në pjesën e parë të këtij takimi ndanë informata të detajuara lidhur me raportimin narrativ, financiar dhe plotësimin e bazës së të dhënave për monitorimin dhe vlerësimin, përmes të cilave do tu lehtësohet përfitueseve procesi i raportimit gjatë zbatimit të këtyre projekteve.
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK, në fjalën e saj përshëndetëse kujtoi fillimet e krijimit të Fondit në vitin 2012 kur shuma e financimeve ishte simbolike në vlerë prej 500€, duke shprehur kënaqësinë që edhe me ndihmën e dy donatorëve kryesor, Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Agjencionit Austriak për Zhvillim (ADA), pesë vite më vonë po ndahen gati 100 mijë euro për anëtaret.
“Vet prezenca e tyre [donatorëve] këtu na tregon sa shumë e përkrahin punën e organizatave të grave”, tha znj. Rogova, “duke vlerësuar se sa e rëndësishme është barazia gjinore për zhvillimin e një shoqërie”. Ndërsa, përfitueseve u uroj shume suksese duke theksuar që “projektet e suksesshme dhe rezultatet e puna juaj e suksesshme dhe transparente, kanë sjellë Rrjetin këtu ku është sot”. Ajo gjithashtu falenderoi mediat që gjithmonë përkrahin dhe e transmetojnë për publikun punën dhe zërin e grave.
Zëvendës Shefi i Sektorit për Bashkëpunim, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Libor Chlad, foli për rëndësinë e këtij Fondi dhe pritshmëritë që ata kanë që këto organizata përmes zbatimit të këtyre projekteve ndikojnë në përmirësimin e jetës së vajzave dhe grave dhe komunitetit të tyre në Kosovë. Duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore si një e drejtë njerëzore fundamentale si për Bashkimin Evropian, ashtu edhe për Kosovën ai tha se kjo duhet të ketë vëmendje adekuate nga institucionet shtetërore, ku mes tjerash theksoi pritshmëritë e rritjes së pjesëmarrjes së grave në politika dhe procese vendim-marrëse pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
“Duke pas parasysh edhe rezultatet e PISA-s të vitit të kaluar, BE është përqendruar që vitin e ardhshëm të ndajë fonde për sektorin e arsimit”, tha ndër të tjera z. Libor Chlad. “Me qenë se ka hapësirë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në sektorin e arsimit, ne do të koncentrohemi në projekte gjithëpërfshirëse ku do të mund të adresojmë ngecjet që kemi identifikuar në këtë sector. Thënë këtë, është e rëndësishme që agjenda e barazisë gjinore të përfshihet në të mësuarit qysh nga fëmijëria në mënyrë që të drejtat e barabarta të rriten bashkë me ta. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë drejtë një shoqërie të barabartë të bazuar në pjesëmarrje, gjithëpërfshirje dhe qëndrueshmëri afatgjatë”, shtoi ai.
Ndërkaq, Kreu i Zyrës së Agjencionit Austriak për Zhvillim (ADA), z. Gunther Zimmer tha se kanë kënaqësinë që janë pjesë e Fondit të Gravë të Kosovës përmes të cilit ndikojnë në fuqizimin e gruas. Ai gjithashtu theksoi se qysh nga viti 1999 kur ADA ka qenë aktive në Kosovë, gjithëherë në zbatimin e projekteve të saja është kujdesur që barazia gjinore të ketë fokus të veçantë. Z. Zimmer gjithashtu u shpreh që shpreson që Qeveria e ardhshme, ti mbajnë premtimet dhe të përfshijnë sa më shumë gra në vendim-marrje, si mjet për të zhvilluar vendin tutje.
“Kur jemi te Qeveria dhe çështjet e rëndësishme që duhet çuar para, dua të theksojë se duhet të inkurajojmë fuqishëm Qeverinë e ardhshme që të ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm për themelimin e Sekretariatit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, si hapi i fundit në këtë proces, duke u mundësuar sa më shumë grave të marrin kompensimin që ju takon” theksoi z. Zimmer. Ai ndër të tjera tha se “Edhe ADA ka mësuar nga boshllëqet sa i përket barazisë gjinore. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të ju mbështesim, por kjo mbështetje do të ishte e pakuptimtë pa bashkëpunimin me RrGGK-në”.
Gjatë nënshkrimit të kontratave, Nevenka Rikallo nga organizata Ruka+Ruci, njëherit edhe përfituese e këtij raundi të FGK-së u shpreh se “Roli i RrGGK-së për gratë dhe vajzat në Kosovë është shumë i rëndësishëm duke qenë se me përkrahjen e tyre dhe përmes financimit të projekteve për organizatat e vogla ndikon në ngritjen e pozitës së grave në shoqëri, duke marr parasysh që barazia gjinore është e rëndësishme për tu bërë një shoqëri me standard evropiane”.
RrGGK dhe organizatat anëtare përfituese nënshkruan kontratat për grantet në vazhdim:
- Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) me iniciativën: “Kujdesi shëndetësor është i mirë atëherë kur ka qasje për të gjithë” (2987.50€, përkrahur nga ADA)
- Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut me iniciativën: “Gratë vendim-marrëse” (2,175.00€, përkrahur nga ADA)
- Vita Jeta me iniciativën: “Diabeti tek të moshuarit” (2,741.10€, përkrahur nga ADA)
- Qendra për Fuqizimin e Gruas me iniciativën: “Fuqizimi ekonomik i grave – nënave kryefamiljare” (2,780.00€, përkrahur nga ADA)
- Luna me iniciativën: “Shëndeti i grave dhe liria e lëvizjes” (2,987.50€, përkrahur nga ADA)
- Together in Progress me iniciativën: “Nga Nënat” – Avokim për gratë fermere të komunës së Gjakovës” (2,996.00€, përkrahur nga ADA)
- Gruaja Bashkëkohore me iniciativën: “Shëndeti dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese” (2,989.00€, përkrahur nga ADA)
- Iniciativa për Integrim të Komuniteteve me iniciativën: “Përmirësimi i pozitës së vajzave dhe grave përmes përfshirjes së tyre në vendim-marrje në Komunën e Dragashit” (2,535.00€, përkrahur nga ADA)
- Qendra e Gruas "ATO" me iniciativën: “E drejta ime në pronë” (2,324.50€, përkrahur nga ADA)
- Lulishtja me iniciativën: “Promovimi i të drejtave të grave dhe fuqizimi i rolit të tyre në trashëgiminë pronësore” (2,757.50€, përkrahur nga ADA)
- OJQ Bliri me iniciativën: “Ngritja e vetëdijes së shëndetit reproduktiv tek të rinjtë” (2,985.00€, përkrahur nga ADA)
- Gruaja Hynore me iniciativën: "Ngritja e vetëdijes së qytetarëve mbi të drejtën e grave në pronë dhe trashëgimi" (2,530.00€, përkrahur nga ADA)
- Klubi Social Jeto me iniciativën: "Qasje më e lehtë e grave në drejtësi për mosmarrëveshje apo konteste pronësore" (2,222.00€, përkrahur nga ADA)
- Shoqata e Grave Fermere "Krusha e Vogël" me iniciativën: “Krijo edhe ti një biznes, mos nguro“ (2,440.00€, përkrahur nga ADA)
- Handikos Mitrovica me iniciativën: "Qasja e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuar në kujdesin shëndetësor" (3,531.25€, përkrahur nga BE)
- Shoqata e të Verbërve dhe me të Pamurit e Dobësuar me iniciativën: "Vetëdijesim për përkrahje dhe mbështetje të personave të verbër dhe personave me të pamurit të dobësuar" (3,753.50€, përkrahur nga BE)
- Qendra e Kosovës për Zhvillim dhe Integrim Multikulturor me iniciativën: "Fuqizimi ekonomik i të rinjve nga komunitetet jo-shumicë: Rom, Ashkali, Egjiptian, me fokus tek vajzat" (3,705.00€, përkrahur nga BE)
- Partners Kosova me iniciativën: "Avokimi i grave për të drejtat e tyre pronësore dhe ato të trashëgimisë" (3,532.00€, përkrahur nga BE)
- Girls Coding Kosova me iniciativën: "#EcShlirë v.3.0. – Bashkëpunimi me policinë e Kosovës" (4,000.00€, përkrahur nga BE)
- Education Code me iniciativën: “Gratë sipërmarrëse” (3,642.00€, përkrahur nga BE)
- Instituti i Psikologjisë Aplikative, Alpha me iniciativën: "“Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe grave të burgosura në Kosovë përmes socializmit të tyre (II)” (3,845.00€, përkrahur nga BE)
- Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes me iniciativën: “Një grua e edukuar, një shoqëri e shëndoshë” (3,815.00€, përkrahur nga BE)
- Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK) me iniciativën: "Më shumë të drejta për gratë e verbëra" (3,370.00€, përkrahur nga BE)
- Rikotta & Shoqata e Grave "Gora" me iniciativën: “Vetëdijesohu, shëndeti juaj është i rëndësishëm për shoqërinë” (5,958.00€, përkrahur nga ADA)
- Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave & Qendra për Promovimin e Familjes së Shëndoshe me iniciativën: “Fuqizimi i të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës për realizimin e të drejtave ligjore” (7,305.00€, përkrahur nga BE)
- Naš Dom (Shtëpia Jonë) & Qendra e Grave për Zhvillim Rural me iniciativën: "Përmirësimi i politikave lokale nga perspektiva e grave" (7,980.50€, përkrahur nga BE)
- Dera e Hapur & Ruka Ruci me iniciativën: " Fuqizimi i Grave aktiviste nga komuniteti për të çuar përpara të drejtat e grave dhe barazinë gjinore përmes pjesëmarrjes, informative dhe mediave sociale " (7,955.00€, përkrahur nga BE)