Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me kënaqësi të madhe sot ka njoftuar se për herë të parë, përmes Fondit të Grave të Kosovës (FGK) do të ofrojë mbështetje organizative për organizatat anëtare të RrGK-së.
Çfarë është mbështetja organizative?
Mbështetja organizative, e cila ndonjëherë njihet edhe si mbështetje e buxhetit të përgjithshëm, mbështetje thelbësore, ose financim i pakushtëzuar, është formë e financimit fleksibil, dhënë një organizate për t’i mundësuar asaj që të realizojë planin dhe synimet e përgjithshme strategjike. Ky lloj i mbështetjes dallon nga financimi i ofruar përmes një projekti të veçantë, i cili duhet të përdoret vetëm për objektiva dhe aktivitete specifike (shpesh i njohur edhe si “financimi i kushtëzuar” sepse është “i kushtëzuar” me një aktivitet të caktuar dhe nuk mund të përdoret për qëllime të tjera). Në vend që një organizatë të ndjekë procedurat e donatorëve, mbështetja organizative zakonisht i lejon organizatës të përdorë procedurat e veta për auditim, prokurim dhe raportim. Në vend të përqendrimit te kostot, mbështetja organizative përqendrohet në rezultatet e arritura. Pra, mbështetja organizative kontribuon në çdo kosto që ka një organizatë drejt realizimit të qëllimeve të saj strategjike.
Pse është e rëndësishme mbështetja organizative?
Ka disa arsye përse RrGK beson se mbështetja organizative është e rëndësishme:
- RrGK u beson aktivistëve/aktivisteve: Ne besojmë se aktivistët për të drejtat e grave i dinë më së miri nevojat dhe prioritetet e komuniteteve të tyre. Prandaj, ata/ato duhet të vendosin si t’i shpenzojnë fondet.
- Fokusi në prioritete: Ne besojmë se kjo mbështetje u ofron organizatave më shumë kontroll mbi mënyrën e përdorimit të fondeve. Mbështetja organizative siguron që fondet të ndahen për temat dhe grupet në nevojë, si dhe të arrijnë ato pjesë gjeografike që kanë nevojë.
- Qëndrueshmëria dhe ngritja e kapaciteteve: Mbështetja organizative u mundëson organizatave të ngritin kapacitetet e brendshme organizative dhe të stafit të tyre. Krahasuar me aktivitetet ad hoc, kjo mënyrë e mbështetjes u mundëson të arrijnë më shumë ndryshime afatgjata në komunitetet e tyre. Gjithashtu u mundëson atyre të ndërtojnë kapacitete dhe sisteme organizative për të ardhmen, për punë më të qëndrueshme.
- Fleksibiliteti: Mbështetja organizative u siguron organizatave anëtare fleksibilitetin për të ndjekur prioritetet e tyre dhe zvogëlon ngarkesën e punës administrative lidhur me kërkesat specifike të donatorëve. Mbështetja organizative mund t’u përshtatet shpejt dhe lehtë situatave të ndryshme.
- Pavarësia: Mbështetja organizative u mundëson organizatave të zbatojnë strategjitë në mënyrë të pavarur dhe të jenë më pak të nxitura nga donatorët.
- Ndikimi më i gjerë: Hulumtimi ynë tregon se mbështetja organizative u mundëson organizatave të grave të përqendrohen më shumë në ndikim sesa në mbijetesë. Mbështetja organizative kursen kohën e aktivisteve për kërkim të fondeve dhe raportim, kohë të cilën mund ta përdorin drejt arritjes së ndryshimeve afatgjata në shoqëri. Sigurimi i mbulimit të kostove dhe nevojave bazë u mundëson organizatave të përqendrohen për të sjellë ndryshime me ndikim.
Duke marrë parasysh përfitimet që mbështetja organizative u sjell aktivistëve, organizatave për të drejtat e grave dhe lëvizjeve feministe, RrGK ka avokuar vazhdimisht që donatorët të ndajnë më shumë fonde për të. RrGK ka kohë që dëshiron të ofrojë mbështetje organizative për anëtaret e saj, por nuk arriti ta bënte duke pasur parasysh kufizimet e financimit që kishte. Tani, përmes mbështetjes zemërgjerë të Sigrid Rausing Trust ( >78,000 €), RrGK planifikon të shpërndajë në muajin nëntor të paktën 78,000€ për tetë ose më shumë organizata anëtare.
Anëtaret e RrGK mund të dorëzojnë aplikacionet deri më 4 tetor 2021, duke ndjekur udhëzimet e paraqitura në faqen e internetit të RrGK. Vendimet për përkrahje financiare do të merren nga Komisioni për Vlerësimin e Granteve (KVG) i FGK-së, i cili është zgjedhur nga organizatat anëtare të RrGK-së.
Dokumentet për aplikim mund t’i gjeni KËTU.