29 nëntor 2014, 20:00
Para Teatrit Kombëtar, Prishtinë, Kosovë
Me 29 nëntor, nga ora 20:00 para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, Forumi Feminist FemACT në kuadër të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), organizon marshimin kundër ngacmimeve seksuale në hapësira publike.
Që nga 22 nëntori Forumi Feminist FemACT ka filluar debatin në rrjetet sociale si pjesë e fushatës #TakeBackTheNight (#NataËshtëEJona), dhe ky debat do të zgjasë deri me 29 nëntor kur edhe mbahet marshimi.
Përmes fushatës, Forumi Feminist FemACT ka arritur të nxisë reagime nga më të ndryshmet, si pozitive ashtu edhe ngative. Bashkimi dhe mobilizimi i vajzave e grave, djemve e burrave, pa dallim moshe e profesioni, është shumë inspirues për të gjithë që kanë përkrahur duke përdorur #TakeBackTheNight, përcjellur me citimet e ndryshme lidhur me ngacmimin seksual.
Ju ftojmë që të na bashkangjiteni në marshimin që do të mbahet me 29 nëntor në ora 20:00 para Teatrit Kombëtar.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) në strategjinë e saj ka edhe programin për fuqizimin e vajzave. Prandaj, është krijuar grupi “femACT – diskutojmë, por edhe veprojmë”, i cili përbëhet prej një numri feministësh e aktivistësh të rinjë prej rajoneve të ndryshme nga e gjithë Kosova. FemACT është i hapur për të gjithë, pa dallim moshe, gjinie, etnie, apo feje.
FemACT paraqet një platformë ku feministet e reja dhe feministët e rinjë mund të ndajnë informata, dhe të organizojnë aksione publike. Gjithashtu, ofron hapësirë për diskutime mbi feminizmin, problemet me karakter gjinor në shoqërinë Kosovare, si dhe për mobilizimin në çështje të ndryshme që konsiderohen të rëndësishme. Kryesisht, është një kombinim në mes të grupit diskutues dhe grupit veprues. Misioni kryesor është ngritja e vetëdijes tek populli dhe institucionet, për problemet me karaktet gjinor që hasen në shoqërinë Kosovare.