The Ideas Partnership (TIP), e themeluar në vitin 2009, punon me përkushtim për avancimin e edukimit, rritjen e vetëdijes, shëndetësinë dhe mbrojtjen e mjedisit, duke u fokusuar kryesisht në komunitetet pakicë.
Nga korriku i vitit 2023 e deri në janar të 2024-tës, TIP ka zhvilluar iniciativën “Fuqizimi i grave dhe të rinjve rom, ashkali dhe egjiptianë në avokim dhe edukim shëndetësor”, e fokusuar në komunën e Fushë-Kosovës dhe në Janjevë, dy vende të banuara me numër të madh të komuniteteve pakicë, e nganjëherë edhe të izoluara.
Me anë të kësaj nisme, TIP-i e ka vazhduar punën të cilën e bën në mënyrë konstante, me aktivitetet të cilat kanë për qëllim rritjen e vetëdijes kundër martesave të hershme të komuniteteve pakicë, edukimin dhe pavarësimin ekonomik sidomos të vajzave nga këto komunitete, ndihmë në procesin edukativ dhe arsimor dhe përkushtimin për edukimin e fëmijëve qysh nga kopshti.
Nga iniciativa e TIP, këto janë nga aktivitetet kryesore, vazhdim i punës të cilën kjo organizatë e bën çdo ditë – Klubi i vajzave, aktivitetet edukative-shëndetësore, punëtorët e rinj socialë, klasat e shkrim-leximit/prindërimit.
Përveç këtyre, avokimi i të rinjve dhe mini-projektet kanë qenë një shtesë e rëndësishme e punës së TIP përmes kësaj iniciative, duke e zhvilluar dhe një përmbledhje të politikave për qasjen e grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë në shëndetësi gjatë situatës me pandemi.
Klubi i Vajzave i nisur me idenë e edukimit dhe ngritjes së vetëdijes së vajzave të reja për martesat e hershme, rrodhi nga një hulumtim i zhvilluar nga TIP në vitin 2016 nga i cili ka dalë se 65% e të anketuarave janë martuar nën moshën 18-vjeçare, 35 % e tyre nën moshën 16-vjeçare.
Për të zvogëluar këtë numër të martesave të hershme, Klubi i Vajzave funksionon si një hapësirë sociale për vajzat të mësojnë më shumë dhe të edukohen në aspekte jo-formale, për të qenë të vetëdijshme për pasojat e martesave të hershme dhe rëndësinë e pavarësimit ekonomik.
“Duke treguar histori dhe duke ju dhënë këtyre vajzave modele tjera të grave dhe vajzave të cilat me një shkollim më të mirë, e kanë ndërtuar një jetë më të mirë, që mundohen t’iu japin shembuj të tjerë nga ato që janë mësuar këto vajza t’i shohin zakonisht, nga gratë e familjeve të tyre”, tregon Elza Luzha Bacaj- Koordinatore e vullnetarëve dhe për vizibilitet në TIP.
Pjesë e aktiviteteve në Klubin e Vajzave gjatë kësaj iniciative ka qenë tregimi dhe ndarja e përvojave të vajzave të këtyre komuniteteve, apo tjera, aktiviste, gra të suksesshme të cilat duke i dhënë prioritet shkollimit dhe pavarësimit ekonomik, kanë ndikuar në vajzat e këtij klubi.
“Në klubin e vajzave kemi pasë vajza dhe gra të cilat kanë arritë diçka. Vajza edhe nga vetë komuniteti të cilat kanë qenë rol model për vajzat pjesëmarrëse!, tha tutje.
Si rezultat i nismës së TIP, më shumë se 100 vajza u ndërgjegjësuan për fenomenet e martesave të hershme dhe traditat kulturore që i shoqërojnë ato. Ky është një hap i rëndësishëm për rritjen e vetëdijes dhe përmirësimin e kushteve për vajzat nga komunitetet pakicë.
Aktivitetet edukative-shëndetësore
Me anë të këtij aktiviteti, gratë ne Fushë -Kosovë dhe në Janjevë kanë marrë informata nga mamia e angazhuar nga TIP, për t’i informuar më mirë gratë rreth periudhës së shtatzënisë, gjendjes psikologjike gjatë dhe pas saj, kohën e depresionit post-natal, dhe këshilla të ndryshme për gratë në bazë të nevojave dhe përvojës së tyre.
Koordinatorja e Shëndetësisë, mamia Mirnije Gojnovci ka qenë e gatshme t’iu përgjigjet shumë pyetjeve të grave dhe t’u japë këshilla edhe në aspekte të planifikimit familjar, vitamina dhe masa mbrojtëse kur ato kanë kërkuar.
Më shumë se 110 gra dhe nëna janë bërë më të informuara gjatë fazave të shtatzënisë, duke përfshirë qasjen në institucionet shëndetësore dhe shërbimet që kanë të drejtë të marrin. Kjo ka ndihmuar në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Aktiviteti me punëtorët e rinj socialë ka për qëllim që vetë të rinjtë e komuniteteve pakicë në këtë rast të mësojnë për këtë pjesë të cilën munden. Më konkretisht, i inkurajon ata të kuptojnë nevojat e komunitetit të tyre dhe të bëhen bartës të ndryshimeve pozitive brenda tij. Për këto komunitete është shumë me rëndësi të përfaqësohen denjësisht në institucione të ndryshme dhe të kenë persona nga vetë komuniteti i tyre, që i dinë dhe i njohin mirë nevojat e tyre.
Më shumë se 45 të rinj u angazhuan në mënyra për të pasur një përfaqësim më të mirë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në institucione si Qendra për Punë Sociale. Ky angazhim ka mundësuar një përfaqësim më të fuqishëm të këtyre grupeve në proceset vendimmarrëse.
Klasat e shkrim-leximit/prindërimit
Këto klasë të mbajtura për nënat e lagjeve pranë të cilave funksionojnë qendrat e TIP, në Fushë-Kosovë dhe Janjevë, duke iu ofruar mësime bazike në shkrim, lexim dhe në matematikë. Për shkak se shumë gra nga komunitet e ndryshme që jetojnë në këto vende janë detyruar të ndërpresin mësimin në moshë shumë të re, ofrimi i këtyre mësimeve është esencial për to, për të mësuar dhe për të qenë në gjendje t’u ndihmojnë edhe vetë fëmijëve të tyre.
“Edhe nënat përfitojnë, dhe fëmijët gjithashtu. Nënat marrin pjesë në orët e prindërimit, derisa fëmijët janë në kopsht. Kjo ua lehtëson jetën duke i ndihmuar të dalin nga rutina e përditshme e punëve të shtëpisë dhe angazhimeve të tjera”, tregon Elza Luzha Bacaj nga TIP.
Ndër të tjera ajo thotë “e kemi pa që mungesa e shkollimit te këto komunitete, vjen edhe nga mungesa e një rutine, një përditshmërie, me u zgju në mëngjes me shku në shkollë edhe me ndejt gjatë krejt orarit. Kjo ka qenë edhe ideja qysh ka fillu kopshti në TIP, me e mësu fëmijët në moshën e hershme, nga mosha 3 vjeçare, me ardhë në kopsht, me pasë aktivitete të ndryshme dhe me u përshtatë me sistemin që i ndihmon me u përshtatë pastaj në shkollë”, thotë ajo.
Për këto gra gjithashtu është edhe një aspekt të cilin e kanë përmendur shpesh, siç tregon Elza “ato nuk duan që fëmijët e tyre të përfundojnë njësoj, si ato”.
Nga nisma e TIP, më shumë se 75 gra janë certifikuar në aftësitë e shkrim-leximit dhe numërimit, duke përmirësuar mundësitë e tyre për integrim dhe për të pasur mundësi më të mira ekonomike.
Me anë të aktivitetit të mini-projekteve, të rinjtë e të rejat nga komunitetet e Fushë-Kosovës dhe të Janjevës kanë pasur mundësi të ndihmojnë komunitetet e tyre duke marrë iniciativë për nevojat të cilat i kanë parë si më evidente.
“Klubi i Vajzave në Fushë-Kosovë në njërën nga takimet kanë treguar se sa vështirë e kanë që çdo muaj të sigurojnë të holla për peceta higjienike dhe kështu ka lindur ideja e tyre që t‘i ndihmojnë gratë e vajzat në lagjen e tyre me peceta higjienike dhe t’ua lehtësojnë barrën sadopak të paktën një muaj”,tregon Elza Luzha-Bacaj. Këto sfida dhe përjetimi i të rinjve duke shkuar në shtëpitë e lagjes, ka ndikuar në këta të rinj e të reja, për të parë gjendjen në të cilën jetojnë edhe njerëzit e tjerë në lagje.
Të rinjtë në Janjevë i kanë identifikuar disa familje me kushte më të rënda ekonomike, ku kanë dërguar pako me ushqime esenciale dhe ilaçe, këto kanë qenë familje të cilat kanë fëmijë me probleme shëndetësore.
Si rezultat në fund të kësaj inicative nga TIP, është publikuar një përmbledhje e politikave bazuar në të dhënat e hulumtimit, me rekomandime të drejtuara për institucionet përkatëse, duke kontribuar në përmirësimin e qasjes dhe shërbimeve për gratë dhe komunitetet pakicë.
Iniciativa e TIP ka kontribuar në përmirësimin e të drejtave të grave në kujdesin shëndetësor përmes avokimit dhe ofrimit të informacioneve që ndihmojnë në ndërgjegjësimin e komunitetit. TIP e sheh që ndikimi në këto komunitete është gradual dhe duhet një kohë më e gjatë për t’u parë, mirëpo puna e tyre dhe angazhimi i vazhdueshëm me përkushtim, shihet në secilën pikë.
Kjo nismë u mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës me një grant prej € 9,998.00, financuar nga EU COVID.