Gjashtë organizata përfitojnë grante për BPGj

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka një histori të gjatë avokimi për përfshirjen e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) në të gjitha proceset buxhetore nga të gjitha institucionet në Kosovë, ashtu siç parashihet me Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj).

Duke vazhduar këtë përpjekje, disa organizata anëtare të RrGK-së, mes OSHC-ve të tjera të cilat shprehën interesim, morën pjesë në trajnim për BPGj. Pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit, ato kishin të drejtë të aplikonin për grante për të zbatuar idetë e tyre për BPGj brenda komunave përkatëse. Ato dorëzuan koncepte për këto grante që jepen përmes nismës rajonale Rrjeti Mbikëqyrës i Buxhetit Gjinor (RrMBGj), një rrjet që vepron në Ballkanin Perëndimor (BP) dhe në Republikën e Moldavisë.

RrGK, si organizatë partnere e këtij rrjeti, mbështeti gjashtë organizatat në vijim: Iniciativa e Femrës Kosovare, Shoqata e Grave të Biznesit (WBA), (Org: Udruženje poslovnih žena) , Organizata për Reforma Lokale (EULOC), Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut (ShGMDNj), si dhe Shoqata e të rinjve për të Drejtat e Njeriut (ShRDNj) për të zbatuar nismën sipas zgjedhjes së tyre në lidhje me BPGj.

Më poshtë është përmbledhja e nismave që pritet të vazhdojnë për 18 muaj, duke filluar nga janari 2021:

Iniciativa e Femrës Kosovare do të zbatojë nismën me titull “Buxhetimi gjinor drejt zhvillimit ekonomik të baraspeshuar gjinor”, e cila synon të rrisë nivelin e vetëdijësimit të zyrtarëve komunalë për të arritur zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në Komunën e Gjakovës, përmes mënyrave të avokimit, siç janë: raportim i mirëfillftë mbi të gjeturat të cilat mund të ndihmojnë gjatë avokimeve, si dhe përmes takimeve avokuese me drejtoritë që japin subvencione dhe grante në komunën e tyre.

WBA me nismën e tyre “Fuqizimi i grave përmes analizës së politikave lokale dhe pjesëmarrjes në buxhetimin gjinor në veri të Kosovës”, synon fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të grave nga grupet formale dhe joformale në Mitrovicën Veriore përmes një sërë aktivitetesh praktike si dhe për grupe të synuara ka gratë anëtare të grupeve formale dhe joformale të grave në katër komuna në veri të Kosovës.

EcoKos Women ka fituar grantin për nismën “Menaxhimi i higjienës menstruale, jeta e pastër për gratë dhe vajzat”, me të cilën synojnë të ndikojnë në menaxhimin e higjienës menstruale (MHM), duke pasur parasysh faktin se menstruacionet dhe aktivitetet shoqëruese janë të rrethuara nga heshtja, turpi dhe tabutë shoqërore që më tej manifestohen në praktikat shoqërore që kufizojnë lëvizjen, lirinë dhe qasjen në aktivitetet e përditshme. Kjo do të arrihet përmes avokimit dhe ngritjes së vetëdijes për MHM, dhe zvogëlimit të shpenzimeve mujore të buxhetit gjinor, zvogëlim ky i cili do të arrihet përmes zbritjes së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në peceta higjenike- gjë e cila do të ndikojë në uljen e e çmimit të tyre në treg.

EULOC do të zbatojë aktivitetin “Monitorimi dhe mentorimi i zbatimit të politikave lokale të përgjegjshme gjinore në Komunën e Vitisë”. Përmes kësaj, EULOC synon të identifikojë praktikat që zbatohen drejt përfshirjes së perspektivës gjinore dhe veçanërisht buxhetimit gjinor në institucionet vendimmarrëse në komunën e Vitisë. Përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta avokuese ata synojnë të promovojnë përdorimin e praktikave më të mira të integrimit të perspektivës gjinore në procesin e planifikimit të buxhetit dhe gjatë gjithë ciklit të buxhetimit gjinor.

ShRDNj ka fituar grantin me idenë e tyre mbi “Monitorimin dhe analizën në krijimin e politikave lokale nga perspektiva gjinore”. Përmes kësaj, ShRDNj synon të ndikojë në proceset, planifikim dhe politikat buxhetore në komunën e Lipjanit për të pasqyruar më mirë nevojat e grave dhe burrave në proceset buxhetore. Në fund presin të dalin me një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet ShRDNj dhe Komunës së Lipjanit për barazinë gjinore dhe më shumë gra në proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes, hulumtim dhe raport analitik duke përdorur mjetet BPGJ, 20 gra që marrin pjesë në proceset e politikëbërjes, këto ndër rezultatet e tjera të pritshme.

ShGMDNJ me nismën e tyre “Perspektiva gjinore për planifikim të qëndrueshëm ekonomik” synon të përfshijë lente gjinore në të gjitha proceset e buxhetimit, duke e bërë buxhetimin, programimin dhe planifikimin e qeverisë më të përgjegjshëm nga perspektiva gjinore në Mitrovicë. Kjo do të arrihet përmes raporteve, monitorimit, kontributit në hartimin e avokimeve, takimeve dhe avokimit me zyrtarët komunalë bazuar në gjetjet, si dhe përdorimit të  mjeteve mediatike për avokim, siç janë debatet televizive.

Këto organizata anëtare të RrGK-së janë trajnuar më parë për BPGj dhe nismat e tyre financohen nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes RrMBGj.