Me 20 dhe 21 korrik, organizata “Partners Kosova”- Center for Conflict Management, në kuadër të projektit “Avokimi i grave për të drejtat e tyre pronësore dhe ato të trashëgimisë’’, organizoi prezantime një ditore në Komunën e Mamushës, respektivisht në atë të Drenasit. Në këto dy prezantime morrën pjesë 55 gra, përfshirë edhe gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Qëllimi i këtij prezantimi ishte rritja e ndërgjegjësimit të grave, vajzave, dhe të rinjve përmes informimit rreth të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, në kuadër të legjislacionit të aplikueshëm në Kosovë, me përqendrim në të drejtën për pjesëmarrje në ndarjen e pronave dhe trashëgimisë.
Prezantimi poashtu synonte t’iu ofronte pjesëmarrëseve udhëzimet relevante se si të avokojnë tek institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, lidhur me të drejtat e tyre në pronë dhe trashëgimi.
Gjatë prezantimit, u fol për legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, i cili garanton dhe mbron të drejtën mbi pronë dhe trashëgimi të të dy gjinive, në këtë rast me theks të veçantë të drejtën e grave, përfshirë këtu Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera përcjellëse, si: Ligji për Barazi Gjinore, Ligji mbi Pronësinë dhe të Drejtat tjera Sendore, Ligji për Trashëgiminë, Ligji kundër Diskriminimit, Ligji për Familjen, Ligji për Ndihmë Juridike Falas (këto dhe të gjitha ligjet tjera që janë në fuqi në Republikën e Kosovës mund t’i gjeni të renditura sipas alfabetit këtu), si dhe udhëzimet administrative përcjellëse (të cilat, të renditura sipas viteve kur kanë hyrë në fuqi, mund t’i gjeni këtu).
“Kemi ardhur këtu që të mësojmë se cilat janë të drejtat tona në këtë fushë, pasi që shumë raste në Kosovë, motrat për shembull heqin dorë nga trashëgimia në familjen e babës, sepse sipas mentalitetit këtu ‘nuk bën t’i mirret trashëgimia vëllaut’,” u shpreh njëra nga pjesëmarrëset në prezantimin e mbajtur në Drenas.
Pjesë e rëndësishme e prezantimit të mbajtur nga Partners Kosova në këto dy komuna, ishte edhe prezantimi i rolit të noterëve në këto procese, si dhe udhëzimet se çka duhet të dinë gratë për të drejtat e tyre, kur kontaktojnë me noterët për raste të tilla brenda familjeve të tyre.
“Për t’i ikur trysnisë që mund të shkaktohet nga mentaliteti patriarkal, apo në ndonjë rast edhe nga ndonjë familjar i cili kundërshton të drejtën tuaj në trashëgimi dhe pronë, noterët kanë për obligim të tagojnë gratë e familjes ndaras në zyrë, për t’i pyetur ato në privatësi të plotë se a kanë presion për heqjen dorë nga trashëgimia e tyre apo po e bëjnë këtë gjë me vullnetin e tyre, pasi që një vendim i tillë është ipakthyeshëm,” u shpreh njëra nga trajneret gjatë prezantimit.