Gratë Në të Zeza Kujtojnë Krimet në Kosovë

Me 26 mars, Gratë në të Zeza nga Serbia, organizuan një performancë në Beograd, duke njohur krimet e kryera nga regjimi serb kundër civilëve shqipëtar para 15 viteve. Gratë në të Zeza rikujtuan dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve nga shtëpitë e trojet e tyre, keqtrajtimin, vrasjen e civilëve e të zënëve robër, dhunimin e grave, marrjes së dokumenteve, djegies së të gjitha objekteve e plaçkitjeve.
"Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe solidaritetin me familjet për humbjet e tyre dhe dhimbje pafund, për poshtërimin që ishte shkaktuar nga regjimi serb në atë kohë," thanë ato.
     Gratë në të Zeza kërkuan të zbardhen dhe të publikohen të dhënat për personat e pagjetur shqiptarë; të publikohen të gjitha të dhënat për varret masive në Serbi ku ndodhen mbetjet mortore të personave me kombësi shqiptare; të ndërmerren të gjitha veprimet me qëllim të procedimit të përgjegjësve për krimet e bëra ndaj personave me kombësi shqiptare dhe kryesit e krimeve të marrin dënimet përkatëse.
     Stasha Zajoviq ka thënë se deklaratat e deritashme dhe premtimet e pushtetit kanë qenë retorikë boshe. Ajo tha se ka shumë rëndësi në mënyrë që pushteti të tregojë se me të vërtetë mendon seriozisht të ballafaqohet me të kaluarën dhe të shkëputet “nga barra e madhe e politikës së krimit” të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
     Aktivistet para monumentit Knjaz Mihaili shpalosën banerin “E mbajmë në mend krimin në Kosovë” në gjuhën shqipe e serbe. Ai poashtu mbante mesazhin: Gratë në të Zeza kundër luftës.