Time Zenuni është një nënë e vetme 49-vjeçare, e cila e humbi bashkëshortin e saj në mënyrë tragjike gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Asaj iu desh të punonte shumë për të rritur tre vajzat dhe djalin vetë, pa babain e tyre dhe mbështetje nga askush.
Ajo mendonte se puna e madhe dhe kreativiteti do ta shpërblenin. Prandaj, para katër vitesh, filloi të bënte kartolina, pako dhe zarfe. Megjithatë, pati vështirësi për të siguruar një kredi dhe e kishte të pamundur të regjistronte biznesin.
Toka e saj ishte regjistruar në emër të së vjehrrës, e cila kishte ndërruar jetë prej kohësh, dhe Timja nuk kishte asgjë që mund ta përdorte si kolateral për marrjen e një kredie në bankë. Vetëm kur u takua me Nora Shehun nga “Medica Kosova”, nëna e vetme u informua për të drejtat e saj pronësore. Përfaqësuesit nga “Medica Kosova” i treguan Times se ajo mund ta regjistronte token në emrin e saj dhe e mbështetën gjatë procedurave.
Timja i ka dorëzuar dokumentet për të trashëguar token dhe rasti i saj është në përfundim. Sapo të marrë titullin mbi tokën, Timja dëshiron ta zgjerojë biznesin e saj. “Dëshiroj të investoj në biznesin tim. Pasi të mbyllet rasti im, do të mund të aplikoj për një kredi në bankë, meqenëse do të kem prone që mund ta lë si kolateral.” Por nuk mbaron me kaq. Toka e saj, e cila ndodhet në fshatin Dobrosh, është pjellore dhe ndodhet në një klimë të butë që është shumë e përshtatshme për bujqësinë. Timja shpreson të mbjellë bajame, ndërkohë që kunatat e saj, Florija dhe Behigjja, të cilat kanë marrë ndihmë juridike nga “Medica Kosova” për të regjistruar pasurinë e tyre, kanë në plan të kultivojnë mjedra. “Kontrollova thirrjet e hapura për shtatorin. Do të aplikojmë për një grant që të fillojmë të kultivojmë bajame dhe mjedra në Dobrosh të Gjakovës”, thotë Timja.
Timja, Florija dhe Behigjja mendojnë se janë duke dhënë një shembull dhe po nxisin edhe gra të tjera në fshatin e tyre me anë të punës që bëjnë. Ato nuk janë të vetmet gra që kanë marrë mbështetje ligjore falas. Deri më tani, Rrjeti i Grave të Kosovës, me mbështetjen e PPSE Swiss Contact,ka ndihmuar 150 gra që të nisin procedurat për regjistrimin apo trashëgimin e pasurive të paluajtshme.