Gratë shqiptare, serbe dhe rome nga Novobërda, Gjilani dhe Kamenica mobilizohen për avokim më të fuqishëm

 Më 9 dhe 10  tetor, organizata Udruženje Žena Povratnica "Naš Dom" (Shoqata e Grave të Rikthyera "Shtëpia Jonë")në partneritet me Qendrën e Grave për Zhvillim Rural nga Novobërda organizuan, në Gjilan, trajnimin "Mobilizimi i komuniteteve" në kuadër të projektit “Përmirësimi i politikave lokale nga perspektiva e grave”. Në këtë trajnim morën pjesë 30 gra shqiptare, serbe dhe rome nga Komuna e Novobërdës, Gjilanit dhe Kamenicës, drejtoreshat e organizatave partnere, përfaqësuesit të institucioneve lokale të këtyre komunave si dhe përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK). 
            Duke marr parasysh numrin mjaft të vogël të grave pjesëmarrëse në proceset vendimmarrëse në këto tri komuna si dhe interesimin e grave për këto procese, organizatat partnere filluan implementimin e aktiviteteve të këtij projekti i cili ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të grave, ngritjen e vetëdijes së grave mbi të drejtat e tyre në proceset vendimmarrëse si dhe përmirësimin e marrëdhënieve si dhe komunikimit në mes të bartësit të së drejtës dhe udhëheqësit të detyrës. 
            Qëllimi i trajnimit dyditorë ishte ngritja e kapaciteteve të grave nga këto tri komunat si dhe njoftimi i tyre mbi modelet dhe mekanizmat e avokimit si dhe pjesëmarrjen në proceset vendimmarrëse në nivelin lokal. Gjithashtu, ne këtë trajnim u prezantuan dhe u diskutuan temat në vazhdim: Të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë si dhe të drejtat e tyre në praktikë; Metodologjia e mobilizimit të komuniteteve; Proceset e politike bërjes dhe vendimmarrjes në Kosove; Detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve Kosovare etj. 
             Puna në grupe si dhe puna praktike i motivoi gratë pjesëmarrëse në këtë trajnim. Njëra nga gratë tha: "Jam shumë e lumtur që aktivitetet e këtij projekti nuk janë vetëm trajnimet por jemi duke ngritë kapacitetet tona edhe përmes shembujve praktik. Nuk më pritet që pas përpilimit të dokumentit punues mbi zgjedhjen e problemeve prioritare të bashkësive lokale të avokoj për herë të parë adaptimin e këtyre ndryshimeve në rregulloret lokale." 
         Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.