Handikos Mitrovica trajnon anëtarët për treg të punës

“Zbatimi i Ligjit për Punësim dhe Aftësim Profesional për personat me aftësi të kufizuara”, ishte tema e debatit të mbajtur nga organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Handikos Mitrovica më 13 shkurt, me qëllim për të diskutuar mundësitë dhe sfidat për punësim të personave me aftësi të kufizuara.  

Fillimisht Myrvete Hasani, Drejtore në Handikos Mitrovica, tregoi mbi barrierat që personat me aftësi të kufizuara i hasin në përgjithësi, e me theks të veçantë në punësim. 

Këto pengesa po shkatojnë probleme në punësimin e personave me aftësi të kufizuara si dhe në qasje të tregut të punës, kurse ne përmes këtij projekti po planifkojmë që të rinjtë, anëtarë të Handikos Mitrovica t’i trajnojmë në përshtatjen e kërkesave të punëdhënësve”, tha Hasani. 

Përgjatë debatit gjithashtu u diskutuan aspektet legjislative që e rregullojnë punësimin e personave me aftësi të kufizuara, u identifikuan pikat në të cilat institucionet relevante do të mund të kontribuonin më shumë, si dhe përfitimet për punëdhënësit në rast të punësimit të këtyre personave. 

Leonita Sadiku, Studente në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, ka ndarë përvojën e saj rreth diskriminimit në punësim. Sadiku ka shtuar se pavarësisht vështirësive nuk do të dorëzohet deri në gjetjen e një vendi të punës, duke shtuar se aktivitete të tilla shërbejnë si frymëzim për të 

Duke marrë parasysh nevojën urgjente për integrimin e personave me aftësi të kufizuar në tregun e punës, pjesëmarrësit kontribuan në rekomandimet e mëposhtme: 

  • Zhvillimi dhe ripërtëritja e databazës ekzistuese të Handikos Mitrovica e cila do të ndihmonte donatorët potencial në identifikimin e personave përfitues, 
  • Rritja e monitorimit të bizneseve dhe institucioneve nga ana e inspektorëve të punës sa i përket zbatimit të Ligjit ekzistues, 
  • Avokimi në bizneset private dhe sensibilizimi i tyre në lidhje me legjislacionin ekzistues që garanton të drejtën e punësimit. 

 Pjesë e panelit ishin edhe Kushtrim Shabani, Zyra e Punësimit Mitrovicë, Arif Kadriu, Menaxher i Projektit në Caritas Kosova, kurse pjesëmarrës ishin studentë të shumtë nga Universiteti i Mitrovicës si dhe anëtarë të Handikos Mitrovica. 

Ky takim dhe kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga UN Women.  

Përveç organizatës Handikos Mitrovica, përfituese nga raundi i 14-të i FGK-së janë edhe 19 organizata anëtare të tjera. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.