Have Hope, dera dhe shtëpia e dytë për të prekurat me kancer të gjirit

“Duaje jetën ashtu siç e kam dashur dhe e dua. Dorëzimi është gjëja më e lehtë, por beteja është e vështirë”. Këto janë fjalët e Arnisa Osmanit, një e mbijetuar e kancerit të gjirit. 

Ajo përuroi sot (22 mars) zyrat e organizatës së saj Have Hope, e cila synon të frymëzojë dhe mbështesë të mbijetuarit e kancerit në Kosovë.

“Si një e mbijetuar nga kanceri, unë e kam përjetuar vetë dëmin emocional dhe fizik të kësaj sëmundjeje shkatërruese. Megjithatë, gjatë rrugëtimit tim, kam zbuluar gjithashtu fuqinë e jashtëzakonshme të shpresës dhe këmbënguljes. Unë themelova Have Hope me qëllimin për të ndarë historinë time dhe për të ofruar një sistem mbështetjeje për të tjerët që po luftojnë beteja të ngjashme,” thotë Osmani për Have Hope që është organizatë anëtare e RrGK-së.

Nëpërmjet organizatës, Osmani thotë se synojnë të ofrojnë burime dhe udhëzime për pacientët me kancer dhe familjet e tyre, si dhe të frymëzojnë dhe të lartësojnë ata që mund të jenë duke luftuar me betejat e tyre.

Në një intervistë për RrGK-në, tha se qendra Have Hope do të jetë një vend takim, ku gratë e prekura me kancer do të dalin, të bisedojnë, të këshillohen me mjekë, psikologë e gra, që janë shembull motivues për t’iu treguar se si ta duan jetën dhe si të luftohet për të.

“Të gjithë kishim pas dëshirë të mos atakohemi nga kanceri por dita ditës po rritet numri. Ka gra që nuk kanë ku të shkojnë. Andaj kjo është dera dhe shtëpia e dytë ku mund të vijnë gjitha gratë me kancer në gji. Do të ketë mjekë edhe psikologë, por mund të bisedojnë edhe me mua si e mbijetuar e kësaj sëmundjeje”, tha ajo.

Kjo organizatë tashmë numëron rreth 80 anëtare, derisa dyert e zyrës janëtë hapura edhe për gra të tjera. Arnisa thotë se anëtarësimi është pa pagesë.

Arsyeja e organizatës Have Hope siç thotë Arnisa nuk është vetëm vetëdijësimi, pasi tashmë shumica e grave sidomos gjatë muajit tetor, kur edhe është muaji i vetëdijësimit, po marrin informata të bollshme për sëmundjen, por të prekurat me kancer kanë nevojë edhe për këshilla mjekësore e psikologjike.

Gjithashtu ekziston edhe faqja e organizatës Have Hope në Facebook dhe Instagram ku do të ketë vazhdimisht informata rreth organizatës dhe punës që bëhet.

RrGK vazhdimisht mbështet organizatat anëtare në rritjen e kapaciteteve të tyre, në luftimin e stereotipeve gjinore dhe arritjen e barazisë gjinore në arsim, ekonomi, politikë, vendimmarrje e  qasje të kujdesit shëndetësor.