Handikos Mitrovica mban trajnim me temën “Fuqizimi i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit riprodhues”

Organizata anëtare e Rjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Handikos Mitrovica në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit riprodhues”, po mban trajnim tre ditor me gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuar, që të njoftohen dhe të ndërgjegjësohen rreth shëndetit riprodhues, dhe të ndërgjegjësohen rreth të drejtave në sistemin shëndetësor, mekanizmave institucional si dhe të raportimit të abuzimit.

Psikologja dhe trajnerja e angazhuar nga Hendikos Mitrovica, Elfije Kelmendi ka informuar gratë dhe vajzat lidhur me shëndetin riprodhues, derisa tha se është më se e nevojshme kjo temë në mesin e këtij komuniteti, meqë ende konsiderohet temë tabu.

“Është temë e mirëpritur për gratë dhe vajzat e sidomos për ato me aftësi të kufizuar, për shkak se vazhdon të jetë temë tabu. Gratë dhe vajzat kanë informacione të mangëta lidhur me këtë temë, ato janë të diskriminuara brenda përbrenda familjes nëse flitet rreth martesës së tyre e krijimit të familjes. Kemi raste konkrete që ua mohojnë vetë familja martesën apo lindjen e fëmijës vetëm pse është me aftësi të kufizuar”, tha Kelmendi.

Gjatë këtij trajnimi gra e vajza me aftësi të kufizuara janë vetëdijësuar ndër të tjera që ato duhet të bëjnë kontrolle gjinekologjike, dhe sic thotë zonja Kelmendi falë trajnimeve të mbajtura, ato tashmë e dinë se si të mbrohen nga infeksionet seksualisht të transmetueshme, dinë se ku të adresohen nëse kanë probleme gjinekologjike, pasi edhe kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë temë tabu në mesin e grave e vajzave me aftësi të kufizuara.

Gjithashtu vajzat e reja me aftësi të kufizuara, janë të informuara se si të pregaditen për rreziqet e adoleshencës, si të mbrohen nga shtatzanitë e hershme nga infesionet sekusalisht të transmetueshme.

Merita Voca, pjesmarrëse në këtë trajnim ka folur lidhur me ate se cka ka përfituar nga trajnimi i mbajtur lidhur me shëndetin riprodhues.

“Unë personalisht kam përfituar nga trajnimi edhe pse nuk është trajnimi im i parë, por mendoj se gjithmonë ka hapësirë për me mësu. Shendeti riprodhues vazhdon të mbetet tabu në mesin e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuar. Gjithmonë kanë hezituar të shkojnë te gjinekologu, si hap i parë, por me trajnime të mbajtura ndër vite mendoj se mendësia e vajzave të reja sidomos, ka ndryshuar”, tha ajo.

OJQ Handikos Mitrovica e realizoi këtë aktivitet si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave II”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).