“Humanus Vita” mban sesion informues me maturantë të Drenasit për luftimin e ngacmimeve seksuale

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “Humanus Vita” ka filluar me sesionet informuese për nxënësit e Drenasit, në kuadër të nismës përfituese nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) “Vetëdijesimi i të rinjve për ngacmimet dhe sulmet seksuale si dhe rëndësia e raportimit të hershëm”. 

Sesionet e para u mbajtën më 21 tetor në Shkollën e Mesme Teknike “Fehmi Lladrovci” në Drenas, ku u diskutua me nxënësit rreth perceptimit të tyre për ngacmimet dhe ngacmimet seksuale.  

Trajnerja Valentina Bejtullahu, shpjegoi konceptet e dhunës me bazë gjinore dhe ngacmimit seksual, si dhe njoftoi nxënësit pjesëmarrës me kornizën ligjore vendore dhe ndërkombëtare që rregullon këtë problematikë. Vëmendje e veçantë iu kushtua luftimit të stereotipave gjinore, të cilësuar si disa nga shkaktarët më të shpeshtë të ngacmimeve seksuale.  

“Po të mos kishte stereotipa gjinorë nga shoqëria e mediat, edhe ngacmimet do të ishin më të vogla. Andaj, të rinjtë duhet t’u shmangen përgjithësimeve, të jenë mendjehapur, dhe luftën për barazi ta bëjnë pjesë të përditshmërisë së tyre”, shtoi ajo. 

Kurse, nxënësja Arlinda Bërbatovci tha se çdokush duhet të ketë lirinë për të qenë vetvetja, pa pasur frikën e ngacmimeve apo paragjykimeve. 

“Një nga gjërat e para për të cilën gjykohemi është mënyra se si vishemi. Por, kjo në asnjë mënyrë nuk i jep të drejtë askujt që të ngacmojë dikë tjetër”, tha ajo.  

Pjesa e dytë e sesioneve iu kushtua rëndësisë së raportimit të menjëhershëm të sulmeve e ngacmimeve seksuale tek institucionet përgjegjëse, ku nxënësit u këshilluan të kenë bashkëpunim të ngushtë me pedagogët e shkollave, udhëheqësinë e shkollës, dhe familjarët e tyre.  

Nga ky cikël sesionesh informuese me nxënës të ciklit të lartë të shkollave fillore dhe me ata të shkollave të mesme të komunës së Drenasit pritet të përfitojnë gjithsej 720 nxënës, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë edhe me institucione arsimore.  

Kjo nismë e organizatës “Humanus Vita” është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.