IKD ofron ndihmë ligjore falas gjatë pandemisë COVID-19

Në Kosovë ekzistojnë stereotipe dhe stigma sa i përket diskriminimit me bazë gjinore, e në veçanti diskriminimit ndaj grave. Në vendet e punës ekzistojnë disa forma të diskriminimit me bazë gjinore, siç janë; punësimi, mundësitë e barabarta për promovim në punë, shkeljet e të drejtës prindërore dhe ngacmimi seksual. Shpesh herë, kur shkelje të tilla ndodhin gratë nuk dinë se ku të drejtohen, ose nuk kanë mundësi për të paguar avokatë.  

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) është duke punuar për përmirësimin e të drejtave të grave në punë ashtu që kjo sjellje diskriminuese të dënohet dhe të parandalohet përsëritja e saj. IKD është duke kryer hulumtime si dhe do të monitorojë seanca gjyqësore, duke përfshirë këtu performancën e të gjitha gjykatave themelore në Kosovë, Gjykatën e Apelit në rastet civile dhe administrative, kjo duke ofruar ndihmë ligjore për gratë. Ndër të tjerash, IKD po ashtu është duke planifikuar koordinimin me Avokatin e Popullit (AP) sa u përket referimit të rasteve te IKD, qoftë për përfaqësim ligjor apo për ndihmë ligjore, me theks të veçantë në rastet e të drejtave të grave në punë.  

Që nga fillimit i shkurtit, IKD ka monitoruar gjithsej 17 raste, në të cilat gratë kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me vendin e punës.  

Megjithatë, për shkak të masave të ndërmarra për luftimin e pandemisë COVID-19, që nga mesi i muajit mars gjykatat kosovare janë duke trajtuar vetëm rastet urgjente. IKD në mars ka monitoruar vetëm katër seanca të tilla.  

Ndërkohë, IKD është bërë pjesë e fushatës regjionale në rrjete sociale, fushatë e cila informon punëtorët për shkeljet që mund t’i hasin gjatë  punës në kohë pandemie. Ata kanë shpërndarë informata të cilat kanë arritur te qindra përdorues të rrjeteve sociale. Për më tepër, ata kanë pasur edhe paraqitje televizive për të diskutuar lidhur me këto tema, duke e zgjeruar kështu rrethin e njerëzve të informuar. IKD ka shfrytëzuar mediat për promovimin e linjës së tyre telefonike-përmes së cilat ofrojnë ndihmë ligjore falas për rastet e diskriminimit në punë përgjatë pandemisë COVID-19. Si rezultat i kësaj fushate mediale, 275 njerëz kanë kontaktuar IKD-në deri më tash.  

Në prill, IKD ndihmoi gjithsej 76 gra në çështje civile dhe administrative, duke përfshirë këtu ndihmë me procedura ligjore për adresimin e shkeljeve të të drejtave në vendin e punës. Në një rast, IKD ndihmoi një punëtore e cila mbeti pa kontratë pune gjatë pandemisë.  

“Unë jam shtatzënë dhe kjo është ndër arsyet kryesore që punëdhënësi nuk më ofroi kontratë. Andaj, unë kërkova ndihmë ligjore nga IKD dhe ata menjëherë mu përgjigjën dhe më udhëzuan se çka duhet të bëj dhe si duhet të veproj.”, tha A.M.  

Kjo nismë e IKD-së ka marrë mbështetje financiare me vlerë prej 19,950 eurosh nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK). RrGK dhe partnerët e tjerë në Koalicionin e Organizatave për të Drejtat e Grave kundër Diskriminimit në Punë në Ballkanin Perëndimore (BP) kanë dhënë 14 grante për organizatat e shoqërisë civile në regjion përmes këtij fondi, i cili në total arrin shifrën e 198,275 eurosh. Këto grante janë pjesë e nismës “Përmirësimi i të Drejtave të Grave në Punë”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar.