Institucionet publike duhet të ndalin frikësimin e sinjalizuesve
Kërkesë drejtuar institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të ndërmarrë veprime
për inkurajimin e sinjalizimit dhe mbrojtjen sinjalizuesve në Kosovë
DREJTUAR Znj. Atifete Jahjaga, Zyra e Presidentes së Kosovës
Z. Kadri Veseli, Kuvendi i Kosovës
Z. Isa Mustafa, Qeveria e Kosovës
Z. Hajredin Kuçi, Ministria e Drejtësisë
Z. Enver Peci, Këshilli Gjyqësor i Kosovës
Z. Aleksandër Lumezi, Kryeprokuroria e Kosovës
Z. Shpend Maxhuni, Policia e Kosovës
Z. Basri Ibrahimi, Inspektorati i Punës
KOPJUAR Znj. Isabelle Servoz-Gallucci, Council of Europe
Z. Samuel Žbogar, European Union Office in Kosovo
NGA Organizata të Shoqërisë Civile dhe Aktivistë për të Drejtën e Lirisë së Shprehjes
DATË 21 gusht 2015, Prishtinë
Të nderuar,
Përmes kësaj letre shprehim shqetësimin tonë të thellë me mënyrën e trajtimit të sinjalizuesve nga institucionet publike në Kosovë, që paraqet shkelje flagrante të lirisë së shprehjes dhe njëkohësisht është tregues i mungesës së seriozitetit të institucioneve për të luftuar korrupsionin.
Tri rastet e sinjalizuesve të keqpërdorimeve dhe korrupsionit që kanë ndodhur vetëm gjatë vitit 2015 dëshmojnë që intitucionet e Kosovës, ndonëse shprehimisht proklamojnë integrim europian, në praktikë bëjnë të kundërtën duke i injoruar standardet e Këshillit të Europës dhe të institicioneve tjera europiane për lirinë e shprehjes.
Në gusht 2015 sinjalizuesi dhe ish arkëtari i bankës ProCredit z. Abdullah Thaçi është dënuar me pesë mijë euro gjobë për shkak se ka nxjerrë jashtë bankës informata që ngrisin dyshime se drejtori i arsimit të Komunës së Prizrenit z. Nexhat Çoçaj ka përfituar në mënyrë të paligjshme të holla nga buxheti i komunës së Prizrenit. Pas publikimit të këtyre informatave, ndaj z. Çoçaj është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Z. Çoçaj, dyshohet, që ndër të tjera, me këto mjete ka paguar këste të kredisë dhe qiranë.
Në një rast tjetër, sinjalizuesit dhe anëtarët e sindikatës së Radio Televizionit të Kosovës, Arsim Halili dhe Fadil Hoxha të cilët punojnë në Radio Televizionin e Kosovës janë larguar nga puna pasi publikisht ngritën shqetësimet e tyre për cenzurë dhe parregullsi financiare brenda RTK-së. Ata më pas janë kthyer në punë nga Inspektorati i Punës, i cili ka konstatuar shkelje procedurale të bëra nga ana e RTK-së.
Gjithashtu, gjatë këtij viti, portali Blic ka botuar të dhëna që kanë të bëjnë me llogarinë e kryeprokurorit z. Aleksander Lumnezi për të informuar publikun për shuma të ndryshme të të hollave që kanë qarkulluar në llogarinë e tij. Publikimi i informatave është bërë gjatë kohës sa z. Lumnezi aplikonte për kryeprokuror. Sipas deklaratave publike, në disa institucione kanë filluar hetime për identifikimin e sinjalizuesit që i ka rrjedhur informatat në publik.
Praktikat e ndjekura gjatë trajtimit të këtyre rasteve tregojnë që:
a) Institucionet publike dhe private kanë për qëllim frikësimin, shantazhimin dhe kërcënimin e sinjalizuesve;
b) Institucionet publike dhe private nuk e respektojnë Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve;
c) Legjislacioni aktual për mbrojtjen e sinjalizuesve, përveç që është emërtuar gabim është edhe në kundërshtim me standardet europiane për mbrojtjen e sinjalizuesve;
d) Inspektorati i Kosovës nuk merr parasysh të drejtën e lirisë së shprehjes në punë siç kërkohet nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj);
e) Disa gjykatës dhe prokurorë nuk kanë njohuri mbi standardet e krijuara nga GjEDNj-së ashtu siç obligohen me Kushtetutë.
Instrumentet Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Sinjalizuesve
Liria e shprehjes në vendin e punës është e garantuar me nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut ndërsa precedentët e GjEDNj-së dhe rekomandimet dhe rezolutat e Këshillit të Europës e kanë bërë të qartë që sinjalizuesit që publikojnë informata në interes publik janë të mbrojtur.
Rasti më i rëndësishëm i Dhomës së Madhe të GjEDNj-së në fushën e sinjalizimit është Guja v. Moldavia.[1] Në këtë rast Drejtori i Zyrës për Media të Prokurorisë Publike të Moldavisës z. Jakob Guja ishte përjashtuar nga puna pasi kishte rrjedhur dy letra konfidenciale në media. Letrat tregonin që zëvendës kryeparlamentari i parlamentit rumun kishte ushtruar presion në zyrën e Prokurorit Publik. Padia e tij ndaj prokurorisë për t’u kthyer nuk punë kishte pasur sukses. Kur rasti arriti në GjEDNj, gjykata vendosi në favor të tij dhe e arsyetoi edhe publikimin e informatave në media për shkak se rasti ishte në interes publik dhe kishte të bënte me presion të ushtruar nga zyrtarë të lartë shtetërorë.[2]
Për më tepër, Rekmandimi nr. (2014) i Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, rekomandon shtetet që të sigurojnë kornizë ligjore, institucionale dhe gjyqësore për mbrojtjen e sinjalizuesve.[3] Veprimet e institucioneve të Kosovës janë qartësisht në kundërshtim me këto standarde.
Kërkesat
Institucioneve publike të Kosovës
Bazuar në argumentet e elaboruara më lart, kërkojmë nga:
1) Ministria e Drejtësisë që të iniciojë amandamentimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorit brenda 12 muajsh,
2) Kryeministria e Kosovës që të sigurohet që Ligji për Mbrojtjen e Informatorit të amandamentohet në përputhje me standardet e GjEDNj-së,
3) Kuvendi i Kosovës të sigurohet që Ligji për Mbrojtjen e Informatorit të aprovohet vetëm nëse është në përputhje me standardet e GjEDNj-së,
4) Presidentja e Kosovës që të sigurohet që Ligji për Mbrojtjen e Informatorit të hyjë në fuqi vetëm nëse është në përputhje me standardet e GjEDNj-së,
5) Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të sigurohet që gjykatësit të kenë njohuri për vendimet e GjEDNJ-së dhe të gjykojnë rastet e sinjalizuesve në përputhje me këto standarde,
6) Kryeprokuroria e Kosovës që të sigurohet që prokurorët të kenë njohuri për vendimet e GjEDNJ-së dhe të hetojnë rastet e sinjalizuesve në përputhje me këto standarde,
7) Inspektorati i Punës që të sigurohet që inspektorët të kenë njohuri për vendimet e GjEDNJ-së dhe të trajtojnë rastet e sinjalizuesve në përputhje me këto standarde,
8) Të gjitha institucionet e lartëpërmendura të publikojnë raporte vjetore me të dhëna të detajuara rreth trajtimit të rasteve të sinjalizuesve dhe këto raporte të jenë lehtë të qasshme për publikun.
Institucioneve Ndërkombëtare
Kërkojmë nga Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian që të monitorojnë legjislacionin dhe praktikat e sinjalizuesvë në Kosovë dhe të paraqesin mënyrën e trajtimit të sinjalizuesve në raporte dhe forume ndërkombëtare.
Të nënshkruarit
Instituti Demokratik i Kosovës – KDI
Instituti për Studime të Avancuara GAP
Lëvizja FOL
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës – RrGGK
ÇOHU
EC Ma Ndryshe
Iniciative për Progres – INPO
Instituti Ballkanik i Politikave – IPOL
Konsumatori
Advocacy Training & Resource Center – ATRC
Qendra për Politika dhe Avokim – QPA
Trashëgimia Kulturore pa Kufij – CHwB
Syri i Vizionit
Qendra Multimedia
Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS
Instituti Demokraci për Zhvillim – D4D
Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar – KCIC
Community Building Mitrovica – CBM
Flutura Kusari
Taulant Hoxha
Ardian Gola
Besa Shahini
Besa Luci
[1] Guja v. Moldavia, aplikacioni nr. 14277/04, 12 shkurt 2008
[2] Për njohuri shtesë rreth mbrojtjes së sinjalizimit nga GjEDNj, shih: Bucur v. Romania nr. No. 40238/02, 8 janar 2013;
Heinisch v. Gjermania, aplikacioni nr. 28274/08, 21 korrik 2011;
Matuz v. Hungaria aplikacioni nr. 73571/10, 21 tetor 2014
[3] Rekmandimi nr. (2014)7 i Komitetit të Ministrave për Mbrojtjen e Sinjalizuesve,
30 prill 2014, <http://www.coe.int/t/dghl/standardsetting/cdcj/CDCJ%20Recommendations/CMRec(2014)7E.pdf>