Nën patronazhin e Shkëlqesisë së Saj, Presidentes Atifete Jahjaga, Fondacioni Jahjaga organizoi konferencën “Partneriteti për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i [Parimeve të Prishtinës 2026–2035]”, e cila u mbajt më 1–3 tetor në Prishtinë, mbështetur nga Luksemburgu. Konferenca mblodhi gra lidere, përfaqësuese të shoqërisë civile, pjesëtarë të forcave të sigurisë, politikëbërës, diplomatë dhe aktorë të tjerë për të reflektuar mbi trashëgiminë e Parimeve të Prishtinës dhe për të avancuar Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS) për dekadën e ardhshme. Në konferencë morën pjesë disa organizata anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Një moment i veçantë gjatë hapjes së konferencës ishte nderimi i Ambasadores Dr. Vjosa Dobruna, diplomate, avokuese për të drejtat e njeriut, pediatre dhe ish-anëtare e Bordit të RrGK-së, e cila u nderua me Çmimin për Arritje Jetësore në fushën e Grave, Paqes dhe Sigurisë nga Fondacioni Jahjaga. Çmimi vlerësoi kontributin e saj shumëvjeçar në avancimin e të drejtave dhe udhëheqjes së grave, si dhe në promovimin e paqes dhe sigurisë.
Gjithashtu u nderuan edhe Dr. Justina Shiroka-Pula, Presidente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, dhe Sonja Biserko, Themeluese dhe Presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
Disa organizata anëtare të RrGK-së kontribuuan në konferencë. Kadire Tahiraj, Drejtore Ekzekutive e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, mori pjesë si paneliste në sesionin “Drejtësia Reparative, Dhuna Seksuale e Lidhur me Konfliktin dhe Llogaridhënia”, ku ndau historinë e rëndësishme të bashkëpunimit ndërmjet aktivisteve, RrGK-së, Presidentes Jahjaga, Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe aktorëve të tjerë në mbështetje të të mbijetuarave.
Abetare Gojani, Drejtore Ekzekutive e The Foundation House, mori pjesë në panelin “Formësimi i së Ardhmes: Teknologjia, Inovacioni dhe Shoqëritë Rezistuese”.
Anëtarja e Bordit të RrGK-së, Antigona Baxhaku, përmes kompanisë së saj SHE Media & Communication, menaxhoi marrëdhëniet me publikun dhe produksionin e videove për transmetimin e drejtpërdrejtë të konferencës.
Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Nicole Farnsworth, foli në sesionin “Fuqizimi Ekonomik, Klima dhe Siguria Energjetike”.
Farnsworth tha se, në aspektin ligjor, ministria përgjegjëse për mjedisin duhet të hartojë dhe përdorë udhëzime për integrimin gjinor në masat për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe përshtatjen ndaj tyre, por këto udhëzime nuk ekzistojnë. Ajo theksoi rëndësinë e institucionalizimit të analizave të detyrueshme të ndikimit gjinor, të cilat do të informonin të gjitha ligjet, politikat dhe masat, me qëllim adresimin e nevojave të ndryshme të grave dhe burrave.
Sipas saj, kjo duhet të shoqërohet me institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGJ) në ligjet dhe politikat e menaxhimit të financave publike. BPGJ-ja kërkon analizë gjinore dhe përcaktimin e objektivave, treguesve, bazave krahasuese dhe caqeve të qarta.
Ajo tha se, për të qenë vërtet transformuese, është e nevojshme të transformohen rolet, normat dhe marrëdhëniet gjinore, si dhe të financohet kujdesi si pjesë e ndryshimeve sistematike në funksionimin e ekonomisë.
Në kuadër të angazhimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), Farnsworth theksoi nevojën për pjesëmarrje kuptimplotë të grave me prejardhje dhe përvoja të ndryshme, si dhe të organizatave të shoqërisë civile, në planifikimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e të gjitha ligjeve dhe politikave.
Farnsworth theksoi dy parime kryesore që, sipas saj, duhet të përfshihen në Parimet e ripërtërira të Prishtinës për periudhën 2026–2035:
- Qeveria duhet të institucionalizojë Analizën e detyrueshme të Ndikimit Gjinor për të informuar të gjitha ligjet, politikat dhe buxhetet.
- Në përputhje me angazhimet e Agjendës GPS dhe duke marrë parasysh shkurtimet globale të financimit dhe sfidat me të cilat përballen organizatat për të drejtat e grave, qeveria duhet të ndajë burime të dedikuara për të mbështetur organizatat e grave, në mënyrë që ato të mund të vazhdojnë të mbështesin sigurinë e grave me prejardhje dhe përvoja të ndryshme.
Pjesëmarrja e RrGK-së në këtë konferencë bazohet në dekada të tëra të avokimit për zbatimin kuptimplotë të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS) në Kosovë. Rrjeti ka dokumentuar përvojën e Kosovës në zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ka avokuar për pjesëmarrjen kuptimplotë të grave në proceset e paqes, përmes hulumtimeve, avokimit dhe angazhimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Ndër punët e RrGK-së është përfshirë edhe [Fakte dhe Fabula për Rezolutën 1325], e cila dokumenton zbatimin e Rezolutës 1325 në Kosovë, si dhe “Një ulëse në tryezë: Kontributi i grave në proceset e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe pritjet e tyre nga këto procese” , e cila shqyrton rolet dhe pritshmëritë e grave me përvoja të ndryshme në proceset e paqes dhe sigurisë. [Analiza Gjinore të BE-së për Paqen dhe Sigurinë në Kosovë], synon të kontribuojë në hartimin e programeve dhe politikave për paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ndërsa [“Përmes Solidaritetit të Grave drejt një Paqeje të Drejtë”], sjell zërat e grave nga Serbia dhe Kosova, si dhe rekomandimet e tyre të përbashkëta për proceset e paqes gjatë negociatave të para ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
RrGK ka qenë mbështetëse e përkushtuar e konferencës së parë për Parimet e Prishtinës në vitin 2012, ndërsa Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, ishte e angazhuar aktivisht në procesin e hartimit dhe miratimit të tyre. Parimet e Prishtinës u miratuan pas Samitit Ndërkombëtar të Grave “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Grave”, të organizuar nga Presidentja Jahjaga më 4-6 tetor të vitit 2012.
RrGK ka vazhduar të kontribuojë edhe në konferencat e mëvonshme për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), të organizuara nën udhëheqjen e Presidentes Osmani-Sadriu.
RrGK-ja mbetet e përkushtuar ndaj avokimit për zbatimin kuptimplotë të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë dhe më gjerë, duke synuar që zërat, ekspertiza dhe prioritetet e grave të reflektohen në ndërtimin e paqes, vendimmarrje dhe politikat që ndikojnë në jetën e tyre.
