Kërkohet avancimi i Ligjit për Trashëgiminë

Më datë 7 mars Shoqata e Gruas “Aureola”, organizatë kjo anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), mbajti diskutim për “Avancimin e Ligjit për Trashëgimi me qëllim të garantimit të sigurisë ekonomike nga trashëgimia familjare për trashëgimtaret femra”. Ky diskutim u zhvillua në kuadër të projektit “Avancimi i Ligjit të Trashëgimisë”.

Në këtë debat, që ishte i dyti nga gjithsej katër sa janë planifikuar të mbahen përgjatë iniciativës, të pranishëm ishin përfaqësues të shoqërisë civile si dhe të institucioneve.

Sanije Grajçevci, Drejtore e organizatës “Aureola” ka treguar se kërkojnë largimin apo pezullimin e nenit 130 të Ligjit për Trashëgiminë, i cili përcakton se “trashëgimtari mund të heq dorë nga trashëgëmia me deklaratë të dhënë para Gjykatës, gjersa të përkundojë seanca mbi trashëgëminë”. Tutje, Grajçevci shtoi se largimi apo pezullimi i këtij neni, do të ndikonte në fuqizimin ekonomik të grave.

Pas përfundimit të ciklit të debateve do të përgatiten edhe rekomandimet, të cilat do t’u dërgohen komisioneve përkatëse qeveritare, si dhe të gjithë deputetëve.

Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGK-së dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).