Koalicioni i Ballkanit Perëndimor publikon Raportin Rajonal mbi Diskriminimin me Bazë Gjinore dhe Punësimin

Download File

Koalicioni i Organizatave për të Drejtat e Grave kundër Diskriminimit në Ballkanin Perëndimor (BP), pjesë e së cilit është edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) lansoi botimin e dytë të raportit hulumtues ”Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Ballkanin Perëndimor. më 20 maj në Bruksel si dhe më 30 maj përmes platformës online Zoom.

Ky hulumtim synon të identifikojë mangësitë në kuadrin ligjor përkatës; ndërgjegjësimin dhe përhapjen e diskriminimit me bazë gjinore në lidhje me punësimin; shkallën në të cilën njerëzit kanë paraqitur ankesa; dhe se si i kanë trajtuar institucionet rastet e tilla.

Gjatë fjalimit në Bruksel, Michela Matuella, Ushtruese e Detyrës së Drejtoreshës së Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) në Komisionin Evropian (KE) tha:

“OSHC-të luajnë rol thelbësor në çuarjen përpara të këtyre çështjeve, dhe dëshmi e kësaj është raporti i publikuar sot. Ne do të inkurajojmë lidershipin politik në rajon që të marrë parasysh këto rekomandime.”

Kurse, Olga Martin Gonzalez, Koordinatore e politikave për Barazi Gjinore në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit në Komisionin Evropian, në fjalën e saj hyrëse, gjatë lansimit online, tha:

“Puna e vazhdueshme e organizatave të shoqërisë civile për të drejtat e grave që qëndrojnë pas këtij hulumtimi rajonal kontribuon në hartimin e politikave të bazuara në fakte si dhe ofron rekomandime të dobishme për të adresuar diskriminimin me bazë gjinore në BP, nga qeveritë, shoqëria civile, bizneset dhe BE-ja”.

David JJ Ryan, Bashkëautor; Vaska Leshoska, Hulumtuese në Reaktor-Hulumtimi në Veprim dhe Endrita Banjska, bashkëautore, RrGK, gjatë dy lansimeve prezantuan gjetjet kryesore si dhe rekomandimet për BE-në dhe institucionet përgjegjëse.

Gjetjet kryesore përfshijnë:

  • Asnjë qeveri nuk e ka harmonizuar plotësisht kuadrin ligjor në përputhje me Direktivën e BE-së për Balancin Punë-Jetë. Ekzistojnë çështje të ndryshme në lidhje me të drejtat e pushimit, veçanërisht leja prindërore, e atësisë dhe e kujdestarëve;
  • Edhe pse ndërgjegjësimi se diskriminimi me bazë gjinore është i paligjshëm duket se është përmirësuar pak, shumë njerëz ende nuk dinë se ku dhe si ta raportojnë atë;
  • Diskriminimi me bazë gjinore lidhur me punësimin ka mbetur i përhapur në Ballkanin Perëndimor (BP), duke përfshirë punësimin, ngritjen në detyrë, pagën, kontratat, të drejtat e shtatzënisë dhe lejen e lehonisë, të atësisë dhe ngacmimet seksuale në punë.
  • Personat LGBTQI+, gratë me aftësi të kufizuara dhe gratë nga grupet e pakicave etnike raportuan se u përballën me diskriminim të shumëfishtë, ndërsektorial.
  • Pak njerëz raportuan diskriminim me bazë gjinore për shkak të vetëdijes së ulët se si ta raportojnë atë; mungesës së besimit në institucione; shqetësimit nga stigmatizimi; frikës nga humbja e punës ose forma tjera viktimizimi; si dhe për shkak të drejtësisë së vonuar e shpesh të shtrenjtë ose procedurave të tjera.

Rekomandimet kryesore përfshijnë:

Për BE-në

  • Të kërkohet zbatimi i reformave institucionale për të adresuar diskriminimin me bazë gjinore në punësim si kusht i procesit të anëtarësimit në BE.
  • Të monitorohen reformat duke përdorur një qasje të standardizuar në të gjitha vendet, përmes raporteve të shteteve përkatëse.
  • Të inkurajohen dhe mbështeten të gjitha vendet në harmonizimin e kuadrit ligjor me Direktivën e BE-së për Balancin Punë-Jetë.
  • Të vazhdohet konsultimi dhe mbështetja e OSHC-ve, veçanërisht në reformat ligjore, ndërgjegjësimin, ofrimin e ndihmës juridike dhe rrjedhimisht monitorimin e performancës institucionale.

Për institucionet përgjegjëse:

  • Të harmonizohet legjislacioni kombëtar me Direktivën e BE-së për Balancin Punë- Jetë, mes ndryshimeve të tjera të nevojshme të përshkruara në raport.
  • Të përmirësohet mbledhja e të dhënave, duke siguruar që të gjitha të dhënat të ndahen sipas gjinisë së viktimës/ave, autorit/ëve të supozuar, vendndodhjes dhe formës së diskriminimit. Të publikohen rregullisht të dhënat.
  • Të sigurohet trajnimi i detyrueshëm dhe i institucionalizuar për zyrtarët përgjegjës për barazinë gjinore dhe transformimin e normave gjinore; për kuadrin ligjor për diskriminimin me bazë gjinore në punë dhe referime; dhe format e diskriminimit me bazë gjinore, veçanërisht ngacmimin seksual.
  • Të ketë më shumë inspektorë të punës dhe zyrtarë të drejtësisë.
  • Të përmirësohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe OSHC-ve për të drejtat e grave, duke përfshirë ndërgjegjësimin e përbashkët për mënyrën e raportimit të diskriminimit dhe përmirësimin e besimit të publikut tek institucionet.