Koalicioni për Barazi diskuton për “Fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë” 

Më 19 mars Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka mbajtur takimin e Koalicionit për Barazi ku rreth 85 pjesëmarrëse diskutuan për “Fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë”. 

Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova paraqiti para pjesëmarrësve iniciativën e përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nismë kjo e cila synon të rrisë pjesëmarrjen e grave në politikë. 

Rogova tha se qëllimi është “fuqizimi i angazhimit qytetar, barazisë gjinore, dhe demokracisë gjithëpërfshirëse nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje në Kosovë. 

          “Jemi këtu sot me energji pozitive, sepse ajo ëndërr që e kemi nisur vitin e kaluar na është realizuar. E ajo ëndërr është që ne u bashkuam dhe krijuam Koalicionin për Barazi, e tani kemi gjetur përkrahje nga Zyra e BE-së për ta realizuar bashkimin tonë, solidaritetin tonë”, tha ajo. 

            Annette Fath Lihic, Këshilltare Kryesore Politike/Koordinatore Ekzekutive, Zyra e Përfaqësueses së Posaçme të BE-së në Kosovë, ka vlerësuar se problem mbetet mungesa e zbatimit të ligjeve. 

          “Duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe tu bëj thirrje autoriteteve kosovare që të mbyllin këtë hendek mes zbatimit dhe legjislacionit, që të mos ndikohet jeta e grave sepse ato përbejnë 50% të popullatës, por po ashtu sepse kjo është drejtësi sociale dhe një kusht i domosdoshëm për funksionim më të mirë të shoqërisë”, u shpreh Lihic. 

          Për mos zbatimin e ligjit ka folur edhe Mexhide Mjaku-Topalli, Kryetare e Grupit të Grave Deputete. 

          “Përderisa kuota 30% në kuvendin lokal dhe nacional në pjesën më të madhe ëshët zbatuar, Ligji për Barazi Gjinore i cili parasheh që gratë të mbajnë 50% të posteve në vendimmarrje nuk është duke u zbatuar”, tha ajo.  

Ndërkaq, Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (EKBK) ka përmendur rëndësinë e energjisë pozitive për lëvizje të tilla. 

 “Barazia gjinore ka të bëjë me pushtetin, kur e shohim pushtetin, politika ka të bëjë me pushtetin. Është e qartë se kemi nevojë për më shumë gra në politikë”, u shpreh Richardson. 

Në pjesën e dytë të takimit u diskutua për problemet me të cilat përballen gratë në politikë në nivelin qendor dhe atë lokal. Poashtu, pjesë me rëndësi e këtij diskutimi ishin edhe idetë për vazhdimin e zbatimit të Strategjisë së Koalicionit. 

        Ky takim u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.