”Duhet të ndajmë më shumë buxhet për gratë që duan të fillojnë biznese. Jo, por është e vështirë për gratë ta bëjnë këtë”, po bisedonin disa pjesëmarrëse duke u futur brenda në punëtorinë e organizuar nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) për zyrtarët e drejtorive komunale të ndryshme në Gjakovë, të cilët u mblodhën për të mësuar dhe diskutuar për Buxhetimin Përgjegjshëm Gjinor (BPGj).
Gjakova është komuna e dytë pas Kamenicës që ka marrë përsipër detyrën për të integruar perspektivën gjinore në buxhetet e tyre komunale dhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH). Bazuar në Ligjin për Barazi Gjinore që sapo është miratuar, çdo institucion (nga ministritë deri në komuna dhe departamente të ministrive) që kanë buxhetin e tyre, duhet të përfshijnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në dokumentet e tyre buxhetore. Në këtë takim morrën pjesë dhjetë zyrtarë prej drejtorisë së Buxhetit dhe Financave; Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Punës së Përgjithshme Administrative; Zhvillimit Ekonomik; Mbrojtjes dhe Shpëtimit; Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës; Arsimit; Punës Inspektuese; dhe e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Donjeta Morina Kordinatore për Ngritjen e Kapaciteteve në RrGGK filloj prezantimin e saj ku foli mbi kuptimin e BPGj dhe çfarë mësimesh mund të mësohen nga përvoja në Kaminicë. Ajo u sigurua të sqaroj se BPGj është integrimi i perspektivës dhe analizës gjinore në të gjitha fazat e planifikimit, zbatimit, dhe monitorimit të buxhetit. “Një nga keqkuptimet e zakonshme është se BPGj bëhet vetëm për gratë ose kërkon fonde shtesë,” tha Donjeta.
“Kjo nuk është e vërtetë. Vetëm imagjinoni një fshat me dy banorë që e kanë një buxhet prej 10€. Shumica e njerëzve mendojnë se një ndarje e barabartë e buxhetit do të jetë për t’i dhënë secilit prej dy banorëve nga 5€. Mirëpo, brenda kornizës së buxhetimit të përgjegjshëm gjinor kjo nuk është zgjidhja më e preferuar pasi që BPGj kërkon një analizë të situatës së nevojave,” shtoi ajo. Për të integruar BPGj në mënyrë të saktë në dokumentet e buxhetit dhe për tu siguruar që fondet janë të ndara në mënyrë të barabartë, duhet të analizohen nevojat e ndryshme të njerëzve të ndryshëm që i përkasin kategorive të ndryshme sociale.
Pas një analize të detajuar të linjave buxhetore në të cilat mund të integrohet BPGj, të pranishmit u mblodhën së bashku për të vënë teorinë në praktikë duke analizuar seksionet përkatëse të drejtorive të tyre brenda KASH-it të vitit të kaluar në dokument buxhetor, për të parë se ku mund të bëhen përmirësime përmes integrimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Rezultatet ishin të mira dhe të dobishme, duke pasur parasysh që të gjithë zyrtarët shprehën dëshirën e tyre për të parë një rritje në numrin e grave të punësuara në drejtoritë tyre dhe në fushën në të cilën atë punojnë. Një tjetër koment që u bë shpesh ishte që në të ardhmen të dhënat e paraqitura në kuadër të KASH-it për çdo linjë buxhetore duhet të jenë të ndara sipas gjinisë. Kjo punëtori u mbështet nga Austrian Development Agency (ADA).