Komuna e Prishtinës ndërmerr hapat e parë drejt zbatimit të BPGJ-së

     Me 22 shkurt, në Komunën e Prishtinës u mbajt punëtoria e parë mbi Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGj). Meqenëse përmes Ligjit për Barazi Gjinore 05/L-020 dhe Qarkoreve Buxhetore të Ministrisë së Financave, BPGJ-ja është obligim ligjor për të gjitha organizatat buxhetore në Kosovë, RrGGK dhe Komuna e Prishtinës filluan bashkëpunimin e tyre për integrimin e tij në këtë komunë. Komuna e Prishtinës është komuna e katërt me radhë të cilës RrGGK i ofron mbështetje sa i përket institucionalizimit të BPGJ-së në nivel lokal. Përmes BPGj-së procesi i planifikimit, ekzekutimit dhe monitorimit të buxhetit bëhet më transparent, efikas dhe i barabartë për burra dhe gra, djem dhe vajza.
     Fitore Pacolli, Shefe e Kabintetit të Kryetarit të Komunës, në fjalën hyrëse u shpreh se “është obligim ligjor që ne ta bëjmë këtë proces. Unë së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Financave, z. Ismail Kokaj do ta shtyjmë përpara këtë proces”.
Premtime Preniqi, Kordinatore e Sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore në Komunën e Prishtinës, konstatoi: “Në Komunën e Prishtinës në pozita vendimmarrëse kemi tri drejtoresha dhe një shefe kabineti. Ne jemi të interesuar që të rritet numri i grave në pozita vendimmarrëse”.
     “Komuna e Prishtinës organizon diskutime publike për shpenzimet kapitale, por shumë pak burrat marrin pjesë, përderisa gra asnjë”, theksoi gjatë këtij diksutimi Shefja e Kabinetit të Kryetarit të Komunës.
     Gjatë diskutimit po ashtu u fol për grantet dhe subvencionet që ndan Komuna e Prishtinës në sektorë të ndryshëm. Z. Arbër Ahmetaj, zyrtar i pagave në Zyrën e Personelit të Komunës së Prishtinës, tha: “Komuna ka ndarë subvencione në vlerë prej 4,000 Euro për 22 gra në sektorin e bujqësisë”. Ai u shpreh se ky projekt ka rezultuar të jetë i suksesshëm, duke e rritur pjesëmarrjen e grave në sektorin e bujqësisë.
     Gjatë diskutimeve në punëtori, mes të tjerash, u tregua gatishmëria e pjesëmarrësve nga Komuna e Prishtinës për të zvogëluar pabarazitë ekzistuese mes grave dhe burrave.
     RrGGK do t’u ofrojë ndihmë drejtorive të Komunës gjatë procesit të planifikimit, ekzekutimit dhe monitorimit të buxhetit që ky proces të jetë sa më transparent dhe i përgjegjshëm nga aspekti gjinor.
    Përkrahja që ofron RrGGK për Komunën e Prishtinës financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).