Kontributi i OPDMK-së në rritjen e pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara në politikë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) vazhdimisht është përpjekur për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe procese vendimmarrëse, kurse së fundmi, që nga fillimi i vitit 2019 puna dhe avokimet rreth kësaj fushe janë përkrahur përmes nismës katër-vjeçare “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

Një nga organizatat partnere të RrGK-së në këtë nismë është edhe Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), e cila përmes aktiviteteve të saj ka punuar që në procese politike të marrin pjesë edhe gratë me aftësi të kufizuara, e kështu të dëgjohet zëri i tyre.

Teksa po u afrohemi zgjedhjeve lokale të këtij viti, gjithsej 11 persona, prej tyre katër gra, me aftësi të kufizuara janë kandidatë për të fituar një ulëse ne kuvendet komunale [burimi: Handikos].

Ky është numri më i lartë i pjesëmarrjes të personave me aftësi të kufizuara në zgjedhje lokale.

Për të kuptuar më shumë lidhur me rolin e OPDMK-së dhe të RrGK-së në këtë sukses, në këtë artikull RrGK sjell një intervistë të shkurtër më Drejtoren Ekzekutive të OPDMK-së, Antigona Shestan si dhe me Mobilizuesen në kuadër të kësaj nisme, Resmije Rrahmanin.  

Rëndësia e bashkëpunimit të RrGK-së me OPDMK-në

“RrGK i ka dhënë krahë OPDMK-së me përvojën e saj. Përmes nismës “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë”, si dhe mbështetjes konkrete nga BE-ja, gratë me aftësi të kufizuara kanë marrë guximin për të ngritur zërin e tyre”, thotë Shestan.

Pas krijimit të Grupit të Grave me Aftësi të Kufizuara (GGAK), OPDMK ka punuar në krijimin e strategjisë pesë-vjeçare për gratë me aftësi të kufizuara në Kosovë.

“Rezultati i vërtetë i avokimit të OPDMK-së u arrit kur nga GGAK doli një grua e re që po kandidon në këto zgjedhje lokale, është fjala për Kaltrina Zeqirin, e cila është anëtare e GGAK nga Novobërda”.

“Kjo është mundësi tejet e mirë për të adresuar nevojat e grave me aftësi të kufizuara tek institucionet dhe kështu të vijë deri tek zbatimi i ligjit në shoqërinë tonë”, thotë ajo tutje.

Shestan e sheh këtë si mundësi që një grua me aftësi të kufizuara ta thotë publikisht atë me të cilën ballafaqohet çdo ditë, dhe në këtë mënyrë të mbrojë të drejtat e këtij komuniteti.

Ajo tutje flet për rolin e krijimit të GGAK.

“Anëtaret e GGAK kontribuan duke kontaktuar gra aktive në politikë dhe në institucione nëpër komunat e tyre, dhe kështu shërbyen si urë lidhëse për OPDMK-në. Kurse, ne, si OPDMK u lehtësuam atyre lobimin dhe avokimin për të drejtat e grave me aftësi të kufizuara në Kosovë.”

OPDMK, në bashkëpunim me RrGK-në, ka pasur disa trajnime me anëtaret e GGAK, duke përfshirë.

  1. Ndikimi i pandemisë COVID-19 në shëndetin mendor të grave me aftësi të kufizuara
  2. Avokimi dhe lobimi për të drejtat e grave me aftësi të kufizuara
  3. Ngritja e kapaciteteve të komunikimit për gratë që duan të merren me politikë.

Së bashku për t’u bërë ballë barrierave

Natyrisht, ende mbesin disa barriera për t’u mposhtur deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë në politikë.

Mirëpo, në të arriturat e deritanishme, Shestan vlerëson rolin e kësaj nisme të ndërmarrë me RrGK-në.

“Pengesat kanë ekzistuar gjithmonë në jetën e personave me aftësi të kufizuara. Mirëpo, nisma “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë” ka ofruar mbështetje financiare, gjë e cila ka rëndësi të madhe kur bëhet fjalë për ndryshime të tilla në shoqëri”, shpjegon ajo.

“Shpresoj që të gjithë 11 personat me aftësi të kufizuara që janë në këtë garë, të jenë të bashkuar dhe të dobishëm për komunitetin e tyre”, thotë Shestan në fund të bisedës sonë.

Kurse, edhe Rrahmani ka një porosi të fuqishme lidhur me rëndësinë e votimit për gratë me aftësi të kufizuara në zgjedhjet e tetorit 2021.

“Kushtet dhe nevojat tona, askush nuk mund t’i dijë e t’i kuptojë më mirë se vet personat me aftësi të kufizuara. Prandaj, votoni për përfaqësues me aftësi të kufizuara sepse asgjë nuk mund të bëhet për personat me aftësi të kufizuara pa përfshirjen tonë direkte në jetën publike”, thotë Rrahmani.