Koordinohen aktivitetet e Koalicionit për Barazi  

Prishtinë- Më 10 prill është mbajtur mbledhja koordinuese e Koalicionit për Barazi (KB) ku të pranishme ishin kryesuesja e Grupit të Grave Deputete Mexhide Mjaku-Topalli, anëtaret e bordit të këtij grupi; deputetet Saranda Bogujevci dhe Teuta Haxhiu, si dhe Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Igballe Rogova.  

“Së shpejti do t’i fillojmë takimet me gratë votuese, do t’i njoftojmë deputetet që të bashkëngjiten në këto takime të rëndësishme”, tha Rogova.  

Tutje të pranishmet u pajtuan për të zhvilluar takime me përfaqësuesit e mediave, duke përfshirë këtu gazetarët dhe kryeredaktorët, në mënyrë që të arrihet përmirësimi i paraqitjes publike të grave dhe rritja e përfaqësimit të tyre gjatë fushatave elektorale.  

Palët u dakorduan që gjatë qershorit të mbahet mbledhja e dytë për këtë vit e Koalicionit për Barazi.  

LEXO EDHE: Koalicioni për Barazi diskuton për “Fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë”.