Aktivistja shumë vjeçare Jeta Krasniqi, e cila ishte edhe anëtare e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), në periudhën 2017-2020, flet për vështirësitë që solli viti 2020 për aktivistet për të drejtat e grave, si dhe për aktivizmin e saj gjatë kësaj kohe.
Ajo poashtu tregon edhe për aktivitetet dhe avokimet më të rëndësishme që RrGK ka ndërmarrë ndër vite.
Komunikimi virtual si hapësirë e re për të përçuar mesazhe të nevojshme
Viti që lamë pas, sipas Krasniqit, ishte plot sfida dhe përpjekje të vazhdueshme për të gjetur forma për t’i tejkaluar barrierat e shumta të shkaktuara nga pandemia COVID-19.
Por, pavarësisht vështirësive, edhe gjatë kësaj periudhe Krasniqi ka vazhduar avokimet, punën dhe aktivizmin, ndër të tjerash për të përmirësuar pozitën e grave në shoqëri.
Ajo vlerëson së përderisa u kufizuan format e kontaktit direkt e të takimeve, format e komunikimeve virtuale krijuan hapësira të reja për të përçuar mesazhe të nevojshme për çështjet që secili prej nesh mëton të shtyjë përpara.
“Këto komunikime shpesh herë, na krijuan mundësinë të përçojmë mesazhe në vende të ndryshme të botës me akterë vendor dhe ndërkombëtar por dhe të zgjerojmë gamën e ndikimit. “
“Ishte vit për të ‘rishpikur’ veten, për të parë cilat janë limitet dhe mundësitë, për t’i dhënë vlerë familjes, njëri-tjetrit dhe shëndetit. Por, mbi të gjitha një vit i reflektimit dhe angazhimit që mund të bëjmë së bashku brenda dhe jashtë vendit, për mua si individ në një anë në çështjet që kanë të bëjnë me konsolidimin e shtetit të Kosovës përfshirë dialogun Kosovë-Serbi. Si dhe në anën tjetër, për luftën që ende duhet bërë për të parandaluar dhe ndëshkuar dhunën në baza gjinore në Kosovë, për politikat gjinore që ende duhet të krijohen në çdo sferë të jetës përfshirë në adresimin e efekteve të pandemisë – që u dëshmua qartazi se te gratë pati ndikim tjetër nga burrat por dhe rrugëtimin ende të gjatë në drejtësinë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.”
Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale
Ajo çfarë pandemia vuri në pah, sipas saj, janë format e ndryshme të aktivizmit të cilat secili prej nesh mund dhe duhet të zhvillojë në kohën digjitale duke kombinuar qasjet e ndryshme dhe mundësitë e shumëfishta që kemi për ta bërë zërin tonë të dëgjohet.
“Por, ajo vuri në pah gjithashtu dhe nevojën e kontaktit të drejtpërdrejt si formë për thyerjen e izolimit, thyerjen e tabuve të cilat për fat të keq ende vazhdojnë të mbizotërojnë në shoqërinë tonë. Këtë e pamë më së miri në rastin e ngritjes së numrit të grave të cilat u bënë viktima të dhunës në familje, apo dhe në rastin e grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës që izolimi pati efekt ritraumatizues për to.”
Në kuadër të betejës për drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përveç angazhimit si nënkryetare e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, gjatë vitit të kaluar ajo iu dedikua dhe dokumentimit të rrugëtimit njëzet vjeçar të Kosovës në adresimin e këtij krimi lufte.
“Duke iu bashkuar nismës së ndërmarrë për shkrimin e një libri që adreson përpjekjet për drejtësi për krimet e luftës së Kosovës, reflektova rrugëtimin e Kosovës me anë të një kapitulli duke sjell fakte për drejtësinë e munguar dhe adresimin e shoqërisë kosovare ndaj këtij krimi lufte. Ky kontribut për mua ishte shumë i rëndësishëm si një aktiviste e angazhuar tashmë prej shumë vitesh direkt në këtë çështje, që njeh nga afër përjetimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë […]”
RrGK përçon mesazhin e fuqisë së grave
Teksa kujton kontributin e dhënë nga RrGK për përmirësimin e të drejtave të grave, Krasniqi thotë se RrGK ka sjellur realitetin e heshtur prapa dyerve të shtëpive në sheshet e qyteteve.
“Vlerësoj se RrGK përçon një mesazh të rëndësishëm, mesazhin e fuqisë së grave. RrGK është kthyer në zërin e viktimave të dhunës në baza gjinore, ka mobilizuar të gjithë shoqërinë për të ngritur zërin kundër vrasjeve të grave, kundër vendimeve të padrejta gjyqësore, të trokas në dyert e prokurorëve, të angazhojë avokatë duke përdorur të gjitha format e nevojshme për të arritur deri te drejtësia”, thotë ajo.
Po ashtu, ajo thotë se RrGK ka ndikuar në krijimin e politikave më të mira gjinore me anë të mbështetjes së vazhdueshme të komunave dhe ministrive për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.
“Si dhe ka arritur që të thyejë barrierat e përfaqësimit dhe të flasë në institucionet e BE-së për progresin dhe sfidat e Kosovës në garantimin e barazisë gjinore”.
Për më tepër, sipas vlerësimit të saj, RrGK ka kontribuar që ta kuptojmë dhe ta njohim më mirë shoqërinë tonë dhe politikat e institucioneve tona, me anë të hulumtimeve të shumta që vënë në pah aspektin gjinor, duke na ndihmuar të shohim të dy anët e medaljes.
“Si një rrjet i cili ka ngritur zërin në çdo fazë të shtetndërtimit të Kosovës, edhe këtë herë RrGK ka bërë të qartë se paqja e qëndrueshme arrihet vetëm atëherë kur gratë janë pjesë e tavolinave negociuese dhe vendimmarrëse. […]”
Për fund, ajo ka një mesazh për gratë dhe vajzat të cilat hasin vështirësi gjatë rrugëtimit të tyre në karrierë.
“Vështirësitë janë pjesë e secilit rrugëtim që ndërmarrim, çelësi drejt suksesit është puna e palodhshme, durimi dhe konsistenca. Rruga e karrierës nuk është vijë e drejtë por me shumë degëzime, e rëndësishme është që të duash punën që bën, kjo më pas e bën edhe përballjen me sfidat dhe vështirësitë më të lehtë. Të dorëzohesh nuk është asnjëherë opsion, të provosh përsëri, përsëri, përsëri është opsioni i vetëm”, thotë ajo.
*Ky artikull është në vazhdën e serisë së publikimeve të RrGK-së për punën dhe kontributin e aktivistëve për të drejtat e njeriut në Kosovë.
Lexo edhe: Aktivizmi i Besnik Lekës përgjatë 2020: Sfidues, por i mundur