Lansohet Strategjia Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023

Më datë 4 prill është lansuar Strategjia Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023, strategji kjo e cila ka për qëllim që të rrisë pjesëmarrjen e shoqërisë civile në politikë-bërje.

Kjo Strategji ka rëndësi të madhe për aktivistët e shoqërisë civile, duke marrë parasysh se vetëm një shoqëri civile aktive dhe e fuqizuar mund të ndikojë në hartimin e politikave më të mira për qytetarët, si dhe në monitorimin e zbatimit të atyre politikave.

Në kuadër të kësaj Strategjie parashihet të bëhet rekrutimi i dy zyrtarëve të rinj të cilët do të jenë përgjegjës për të ndihmuar zbatimin e Strategjisë dhe njëkohësisht është ndarë buxhet në vlerë prej 253.300 euro për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit.

Gjithsej janë vendosur katër objektiva strategjike për periudhën e zbatimit 2019-2023:

  1. Rritja e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në politikë-bërje,

Kjo pikë synon të ngrisë njohuritë si të qytetarëve ashtu edhe të shoqërisë civile për konsultimet publike, si dhe përmirësimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të kontribuar në këtë proces.

  1. Rritja e llogaridhënies dhe transparencës në financimin publik për OShC-të,

Sipas kësaj objektive, Qeveria duhet të hartojë dhe miratojë standarde dhe procedura për ofrimin e shërbimeve publike nga OShC-të, duke përfshirë edhe mbulimin e licencave.

  1. Zhvillimi i praktikave dhe procedurave për kontraktimin e OShC-ve për ofrimin e shërbimeve publike,

Kjo pikë synon përmirësimin e kornizës së përgjithshme politike dhe institucionale për rregullimin e aktiviteteve ekonomike të organizatave të shoqërisë civile, si dhe parasheh mbledhje dhe publikim sistematik të informatave mbi potencialin e këtyre organizatave për të ofruar shërbime publike për institucionet publike, dhe

  1. Rritja dhe promovimi i vullnetarizmit në programet me interes publik,

Këtu synohet krijimi i një kornize gjithpërfshirëse ligjore dhe institucionale për të mbështetur zhvillimin e vullnetarizimit, duke përfshirë këtu edhe zhvillimin e kapaciteteve të shoqërisë civile për të rekrutuar, angazhuar dhe menaxhuar vullnetarët.

Vlen të përmendet se krahas fondeve nga buxheti i shtetit, zbatimi i këtyre objektivave strategjike do të përkrahet edhe nga asistenca teknike e Bashkimit Evropian (BE). Poashtu, priten fonde shtesë nga donatorë në fushën e zhvillimit të shoqërisë civile, si dhe nga OShC-të të cilat e kanë për mision zhvillimin e shoqërisë civile ose fushat specifike të trajtuara nga objektivat strategjike përkatëse.

Strategjinë e plotë të Qeverisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023 mund ta lexoni KËTU.