Letër drejtuar Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale Zt. Nenad Rashiq, lidhur me punësimin e Kosovarëve në Qatar

Për: Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Zt. Nenad Rashiq

Cc: Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Zt. Hashim Thaqi

      Edona Hajrullahu, KE e Agjencisë për Barazi Gjinore

Nga: Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës

Lidhur me: Negociatat në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës për punësimin e Kosovarëve në Qatar

 

I nderuar Ministër Rashiq,

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me lajmet e fundit të plasuara në media ndërkombëtare dhe lokale për iniciativën e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me punësimin e kosovarëve në Qatar dhe potencialit të abuzimit të punëtorëve sipas rregullave të shtetit pranues. Siç e kuptuam edhe nga reagimi i fundit i MPMS-së, këto negociata rrjedhin si rezultat i vendimit të datës 13.08.2013 të Qeverisë së Republikës së Kosovës  për negociatat e lidhjes së marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Qatar-it lidhur me rregullimin e punësimit të fuqisë punëtore në këtë shtet.

Dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë përkitazi me mundësinë potenciale të abuzimit, keqtrajtimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore si burrave dhe grave në punë të ndryshme për shkak të raporteve të shumta ndërkombëtare me pozitën e punëtorëve në Qatar. Shumica e shteteve që kanë nënshkruar marrëveshje të tilla me shtetin e Qatar-it kanë dështuar që të nxjerrin garanci për të siguruar pozitë të mbrojtur të punëtorëve të garantuara sipas standardeve ndërkombëtare sikurse Nepali, Bosnja dhe Hercegovina dhe ish-RFJ e Maqedonisë. Sipas raporteve të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës punëtorët e thjeshtë punojnë më shumë se 60 orë në javë derisa ka raporte edhe të punës deri në 100 orë në javë pa kompensim adekuat dhe pa të drejtë në pushim fare. Punëtorët migrant punësohen në bazë të një sistemi të ashtuquajtur kafala që nuk garanton punësim sipas sistemit të standardeve ndërkombëtare të punësimit.

Për më tepër rreziku për eksploatim të grave dhe burrave në punë të detyruar, mbajtjen e dokumenteve të tyre si dhe pagesën minimale, të cilat shteti ynë nuk do të ketë kapacitet ta monitoron, na sjellin në dyshime se kjo do të jetë potencial për shfrytëzimin e punëtorëve tanë.

Ju rikujtojmë së Kosova ende konsiderohet sipas raportit të Shtetit Amerikan vend tranzit, destinimi dhe i origjinës për trafikimin e qenieve njerëzore. Poashtu Kosova ka për detyrë të respekton dhe zbaton standardet ndërkombëtare të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe Ligjin e Punës. Poashtu qeveria e jonë ka ndërmarrë një varg masash me hartimin e Strategjisë dhe Planit Veprues për të Luftuar dhe Parandaluar Trafikimin e Qenieve Njerëzore. Në fushën e përshpejtimit të Liberalizimit të Vizave, Kuvendi i Kosovës ka adoptuar edhe Ligjin për Parandalimin, Mbrojtjen dhe Luftimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Kemi dyshimin se një iniciativë e tillë do të mund të dëmton procesin e liberalizimit të vizave nëse nuk garantohet në mënyrë të mirrëfillte pozita e punëtorëve në Qatar si dhe të ketë raporte të abuzimeve pas nënshkrimit të një marrëveshje të tillë.

Do të apelojmë tek ju por edhe të prezenca ndërkombëtare në Kosovë, të keni shumë kujdes me iniciativën të cilën jeni duke e ndërmarrë e poashtu të jeni në komunikim të vazhdueshëm me departamentet përkatëse për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore në MPMS, Koordinatorin Nacional për Luftimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, Agjencinë për Barazi Gjinore si dhe shoqërinë civile.

Mirëpresim përgjegjen e juaj positive.

Me respekt,

Igballe Rogova

Drejtore Ekzekutive

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës