Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) dhe Koalicioni për Barazi sot mbajtën një takim të përbashkët për të diskutuar lidhur me “Gratë në vendimmarrje në nivel lokal”.
Gjatë këtij takimi pjesëmarrëset ndanë përvojat e tyre si dhe diskutuan lidhur me mundësitë avokuese për të ngritur pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje në nivel lokal si dhe për respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj).
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në fillim të këtij takimi ka kujtuar për të pranishmet se ky takim po mbahet online përmes platformës Zoom për shkak të masave të reja për të ndaluar përhapjen e mëtutjeshëm të pandemisë COVID-19.
Tutje, Rogova përmendi se qëllimi primar i Lobit është fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në nivel lokal, si dhe avokimi për të drejtat dhe nevojat e tyre.
“Zgjedhjet lokale janë afër dhe ne së bashku përsëri do të kërkojmë pjesëmarrje më të madhe të grave në këto zgjedhje. Mirëpo, për ta arritur këtë qëllim të përbashkët, gjithmonë është një shtyllë e ajo shtyllë është solidariteti. Ne duhet të solidarizohemi me njëra-tjetrën, kjo gjë ka shërbyer si shtysë për Lobin gjatë tërë kohës”, u shpreh Rogova.
Kurse, Selvie Rexhepi, Nënkryetare për Komunitete në Komunën e Kllokotit ka përmendur një sërë sfidash që hasin gratë në nivelin lokal, duke vënë theksin te rëndësia e vazhdimit të punës dhe unitetit.
“Të gjitha objektivat duhet të arrihen në kuadër të trajtimit të barabartë, pra duke siguruar përfaqësim të barabartë, si për burrat, ashtu edhe për gratë. Në përgjithësi gratë e kanë më të vështirë dhe përballen me pengesa në rrugëtimin e tyre, megjithatë unë i inkurajoj të gjitha gratë që të mos dorëzohen. Jam shumë krenare që jam pjesë e Lobit”, tha ajo.
Linda Shahini, ish-kryesuese e Grupit të Grave të Komunës së Lipjanit dhe ish-anëtare e Kuvendit Komunal, u shpreh se përkrahja e marrë nga Lobi i ka shërbyer si frymëzim që ta vazhdojë punën në komunën e saj.
“Gjatë pandemisë është rritur dhuna ndaj grave, me këtë rast duhet të kujtojmë se gratë në nivel lokal mund të përkrahin këto gra që kanë përjetuar dhunë dhe të luftojnë për të drejtat e tyre. Ne jemi urë lidhëse mes tyre dhe institucioneve, sepse askush më mirë nuk i njeh problematikat e grave”, tha Shahini.
LEXO EDHE: Anëtaret e RrGK-së bashkëpunojnë për hartimin e strategjisë feministe
Ky takim u mbështet nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), bashkëfinancuar nga UN Women, dhe Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.