Anëtaret e RrGK-së bashkëpunojnë për hartimin e strategjisë feministe

Përgjatë tri ditëve (21-23 tetor), përfaqësuese të rreth 90 organizatave anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) u mblodhën në punëtorinë për planifikimin e strategjisë feministe të RrGK-së, që u mbajt në Durrës, Shqipëri duke respektuar masat mbrojtëse kundër COVID-19. 

Ariana-Qosaj Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK-së si dhe Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, në fjalën hyrëse ndër të tjerash folën për rëndësinë e takimeve të tilla në bashkimin e grave drejt arritjes së barazisë gjinore. 

“Gjatë këtyre ditëve do të punojmë së bashku për hartimin e strategjisë feministe, këtë mund ta bëjmë dhe ta zbatojmë vetëm bashkërisht. Nuk duhet asnjëherë të harrojmë që solidariteti mbetet shtylla kryesore e feminizmit, pa solidaritet nuk ka feminizëm e as fuqizim”, u shpreh Rogova.  

Dita e dytë e punëtorisë vazhdoi duke ndarë përvojat dhe mendimet, në pesë grupe punuese, të ndara si vijon;  

  • Më shumë të reja dhe të rinj të përfshirë në lëvizjen feministe, 
  • Transformimi i normave: ndryshimet në edukimin e hershëm të fëmijëve, 
  • Opinioni publik për feminizmin, 
  • Avancimi i feminizmit në nivel ndërkombëtar, 
  • Qasja dhe përfshirja e grave nga zonat rurale 

Ndër rekomandimet e dala nga puna në grupe janë 

  • Të avokohet dhe punohet, së bashku me anëtaret që Konventa e Stambollit të gjejë zbatim,  
  • Të shihen mundësitë për ndryshime te Ligji i Gjuhës, që të ndalohen termet diskriminuese ndaj grave,  
  • Të arrihet barazi socio-ekonomike ndërmjet burrave dhe grave,  
  • Të ngritet punësimi i grave,  
  • Të monitorohen komisionet për subvencione, që të ketë ndarje transparente të subvencioneve duke zbatuar masat afirmative të Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj),  
  • Të ketë përfshirje më të madhe të të rinjve në lëvizjen feministe,  
  • Të ftohen edhe djemtë/burrat në aktivitetet për arritje të barazisë gjinore.  
  • Të përfshihen me shume te rinj dhe te reja në lëvizjen feministe.  

Një pjesë e punëtorisë u udhëhoq nga Zana Hoxha, Drejtore Ekzekutive e organizatës anëtare të RrGK-së, ARTPOLIS, e cila me aktivitetin “Rruga drejt qëndrueshmërisë së aktivisteve”, angazhoi anëtaret në aktivitete grupore dhe kreative.  

Kjo punëtori u mbështet nga Fondacioni Kvinna Till Kvinna. 

Më shumë fotografi nga kjo punëtori mund të gjeni KËTU.