Marte Tunaj, gruaja që guxoi ta raportojë dhunimin seksual

Marte Tunaj, gruaja që u dha shpresë për jetë grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Ishte e para që doli publikisht para trupit gjykues dhe deshmoj per  dhunimin,  vuajtjet, maltretimin dhe keqtrajtimin qe kishte perjetuar gjate luftes..

Ajo deshi të gjejë drejtësi për krimin e ushtruar mbi trupin e saj dhe të merrte epilogun drejt nxjerrjes në sipërfaqe që dhuna seksuale si arme e luftës e kishte atakuar atë në format më barbare të mundshme.

“Bota duhet të dijë se çfarë ndodhi me ne dhe ne duhet të rrëfejmë”, ishte porosia që Marte Tunaj pati përcjellë sa ishte gjallë tek viktimat tjera.

Dhunimi ndaj Martes kishte ndodhur në maj të vitit 1999. Deklarata e saj e fuqishme bëri që dhunuesi Millosh Jokiq, të arrestohej menjëherë nga forcat e KFOR-it.

Por, historia e saj nuk përfundon këtu. Ajo e kishte shumë të vështirë që pas luftës t`i rrëfente familjes dhe burrit për tërë atë që i kishte ndodhe.

“E mora guximin dhe i dhashë vetës detyrë që ta denoncoja në polici Jokiqin. E bëra këtë për hir të shumë nënave e grave shtatzëna që ishin keqtrajtuar nga Jokiqi. Burri im e mori vesh tek pasi u bë gjyqi dhe i jam shumë mirënjohës që më përkrahu deri në fund,” rrëfente ajo.

Tunaj thotë se guximin për të dëshmuar si grua shqiptare ia fali Kosovës, djalit të saj Sherifit, i cili ishte pjesëtar i UÇK-së dhe ishte i vetmi i mitur në tërë rajonin e Vitisë.

Vetë Sherifi kishte apeluar tek të gjitha gratë dhe vajzat tjera të Kosovës që ndaj tyre u ushtrua dhunë seksuale dhe fizike nga forcat serbe të mos heshtin, por të denoncojnë krimin ndaj tyre. Ai ka thënë se ky krim duhet të ndëshkohet dhe të mos mbetet anash as nga ana e institucioneve.

Feride Rushiti, drejtore e Qendrës Kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, thotë se guximi i Marte Tunaj për të dëshmuar publikisht dhe për të deklaruar këto krime ka qenë “jashtëzakonisht frymëzues”.

“Të deklarosh publikisht një traumë të tillë do të thotë të përballesh jo vetëm me traumën personale, por edhe me stigmën, paragjykimet dhe padrejtësinë. Pavarësisht kësaj Martja ia doli ta ngrisë zërin duke treguar guxim dhe heroizëm”, tha ajo.

Edhe drejtorja e Forumit Iniciativa Qytetare, Dajana Berisha ka thënë se, “Marte Tunaj duhet të nderohet për guximin e saj që dëshmoi kundër krimit ndaj grave dhe vajzave në Kosovë. Ajo tha se Martja theu tabunë e krijuar për këtë krim në shoqërinë kosovare”.

Pas gjithë përjetimeve jo vetëm Marte Tunaj, por të gjitha te mbijetuarat e dhunes seksuale gjatë luftës së fundit, iu është dashur të ballafaqohen edhe me njohje të statusit nga Qeveria e Kosovës.

Për këtë gjë pat ngritur zërin edhe vetë Martja.

“E kam guximin të flas në emër të të gjitha te mbujetuarave te dhunes seksuale që shteti të mendoj dhe të bëj të pamundurën që t’ua mundësoj një jete me dinjitoze. Është gjynah që te mbijetuarat e dhunes seksuale te mbesin nën mëshirën e lëmoshës. Ato kanë nevojë për përkujdesje e tretmane të ndryshme mjekësore”, qe shprehur ajo.

Marte Tunaj ndërroi jetë në viitn 2016, duke mos e pritur vendimin e institucioneve të Kosovës, të cilat për herë të parë shënuan sivjet, më 14 prill,  Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për “ta njohur dhimbjen” e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t’i kontribuar kujtesës kolektive.