Mbahet konferenca “Qasja në drejtësi e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”

Me datë 10 dhe 11 dhjetor, nën organizimin e Zyrës së Koordinatorit Ndërkombëtar kundër Dhunës në Familje, z. Naim Qelaj, u mbajt konferenca rajonale “Qasja në drejtësi e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore’’, në të cilën morën pjesë më shumë se 300 pjesëmarrës nga Kosova si dhe përfaqësues nga vendet e rajonit si, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia si dhe mysafirë nga Britania e Madhe dhe SHBA-të.

Konferenca kishte për qëllim të adresojë qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me baza gjinore, duke u përqëndruar në fushën e parandalimit, mbrojtjes dhe rehabilitimit dhe riintegrimit.

Hapja e konferencës u bë nga Kryeministri i Kosovës Z. Ramush Haradinaj, ndërsa konferencën e përshëndetën edhe Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë; Naim Qelaj, Koordinator Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhunës në Baza Gjinore/Zëvendës Ministër i Drejtesisë; Mexhide Mjaku-Topalli, Kryetare e Bordit të Grave deputete, Parlamenti Kosovës; Nataliya Apostolova, Shefe e zyres së BE-së /Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë; Alia El Yassir, Drejtore rajonale për zyrën e UN Women për Evropë dhe Azi Qendrore; Ulrika Richardson, Koordinatore e Përhershme e OKB-së dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së; Jan Braathu, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë; Alexandra Papadopoulou, Shefe e EULEX në Kosovës; Piero Cristoforo SARDI, Ambasador, Ambasada e Italisë në Kosovë; Colleen E. Hyland, Zëvendës Ambasadore, Ambasada e SHBA-ve në Kosovë; si dhe Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës.

Gjatë konferencës u mbajtën 12 panele që trajtuan tema të ndryshme. Në panelin “Rritja e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimi i qasjes në drejtësi për viktimat, rrit besimin në institucione’, paneliste ishte edhe Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), e cila foli për punën që RrGK bën në adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me baza gjinore. Ajo gjithashtu bëri thirrje veçanërisht sistemit të drejtësisë të ngrisin kapacaitet në mënyrë që rastet e dhunës me baza gjinore të marrin trajtimin e duhur dhe me prioritet si dhe që të ashpërsohen dënimet për ushtruesit e dhunës.

Gjatë ditës së dytë të konferencës u mbajt një punëtori me grupe punuese me qëllim të draftimit të rekomandimeve për të përmirësuar parandalimin, mborjtjen dhe programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me baza gjinore.

Një thirje e përbashkët që doli nga kjo konferencë, nga të gjithë pjesëmarrësit ishte që të investohet më shumë në mbeshtjejten financiare për strehimoret për viktimat e dhunës me baza gjinore, marrë parasysh që edhe këtë vit qeveria nuk ka përfshirë ngritje të fondeve për të mbështetur në tërësi shërbimet që ofrojnë strehimoret.

 

Fotografia: UN Women Kosovo