Me 6 nëntor, u mbajt mbledhja e rregullt e RrGK, e fundit për këtë vit ku anëtaret bashkë me stafin e RrGK-së ndanë sukseset e pëbashkëta përgjatë këtij viti.
Për shkak të përditësimeve në Statutin e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), bazuar në Ligjin e përditësuar për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare, Kuvendi i rregullt i anëtareve që zakonisht është mbajtur në muajin dhjetor, do të shtyhet në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Kjo për arsye edhe praktike që komplet raportimi, përfshirë edhe raportet e financave dhe të auditimit për gjithë vitin, komplet pra edhe të muajit dhjetor, të jenë gati për vitin përkatës për aprovim nga Kuvendi i Anëtareve, si përgjegjësi ndaj organit më të lartë qeverisës që mbikëqyr dhe vlerëson punën e RrGK-së.
“Ky është takimi ynë i fundit fizik për sivjet, sepse tash me këtë përditësim të ligjit ne në raportimin në Kuvendin Vjetor duhet ta përfshijmë edhe dhjetorin, edhe raportin e auditimit, andaj duhet të raportojmë në fillim të vitit tjetër kur të kryhet edhe raporti i auditimit. Prandaj Kuvendi Vjetor do të organizohet vitin tjetër”, tha Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova.
Tutje, ajo tha se është lajm i mirë që Fondi i Grave të Kosovës po vazhdon të ndajë grante, falë donatorëve që mundësojnë këtë program, sidomos marrë parasysh faktin se derisa Fondi ka filluar me ndarjen e granteve prej 500 euro, sot ka arritur që të ndajë grante në vlerë prej 10 mijë euro për një organizatë. Në këtë kontekst ajo tha se për çdo ditë po rritet edhe profesionalizmi i organizatave anëtare të zbatojnë grante më të mëdha, ndërsa i ftoi organizatat që nëse në një raund nuk përzgjidhen, të vazhdojnë të aplikojnë sërish duke e parë këtë si mundësi të mirë për ngritjen e kapaciteteve të përgjithshme, diçka që stafi i RrGK-së e bën vazhdimisht.
Rogova ndau me anëtaret edhe informatën se RrGK së bashku me Artpolis më 21 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare në orën 20:00 organizojnë mbrëmje artistike për nder të Eve Ensler, e cila tani quhet V, dhe është themeluese e “One Billion Rising” dhe autore e “Monologjet e Vaginave”. Kjo është hera e dytë që V viziton Kosovën. Tutje, stafi i RrGK raportuan për arritjet drejt zbatimit të Strategjisë së RrGK për vitet 2023-2026, secila për programet përkatëse.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Premtime Preniqi, zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Prishtinës ndau dy piktura të punuara nga nxënësit e shkollave të kryeqytetit të realizuara në kuadër të fushatës një mujore të komunës kundër trafikimit me qenie njerëzore si shenjë mirënjohjeje që kjo Zyrë ka me RrGK në asistim të rasteve të dhunës në bazë gjinore.
“[RrGK] është rrjet i shumë organizatave, andaj kam pasur dëshirë që njërën nga pikturat e atyre fëmijëve ta sjellë këtu, që të rritet vetëdijesimi sepse puna në rrjet dhe puna e juaj ka treguar rezultate pozitive,” tha Premtime Preniqi.
Gjithashtu anëtaret e RrGK-së duke shprehur mirënjohje për RrGK-në që mbështet në mënyrë të vazhdueshme anëtaret e saj, kanë diskutuar për tema të ndryshme, ndërsa në fokus kësaj here ishte trashëgimia e pronës për vajzat dhe gratë si dhe për të drejtën në legalizimin e pronës nga ana e grave.
Zyrtarja për Shërbimin Korrektues Rrezarta Gashi Berisha ka ftuar organizatat nëse do të mund të jepnin ndonjë kontribut në organizime të aktiviteteve për gratë e burgosura.
Ky takim u mbështet nga Fondacioni Kvinna till Kvinna.