Mbahet mbledhja e parë e Grupit Avokues të Koalicionit për Barazi

Me 13 korrik, në Hotel Sirius në Prishtinë, u mbajt mbledhja e parë e Grupit Avokues të Koalicionit për Barazi. Gjatë mbledhjes së Koalicionit të 22 qershorit, duke u bazuar që për të punuar drejtpërmbushjes së misionit dhe vizionit të përbashkët për fuqizimin dhe përmirësimin e pozitës së grave në politikë dhe vendimmarrje dhe arritjes së barazisë gjinore në Kosovë, pa marrë parasysh preferencat politike, gjininë, moshën, etnicitetin, aftësinë, religjionin, pozitën gjeografike, nivelin e edukimit ose statusin shoqëror-ekonomik, anëtaret e Koalicionit vendosën që të veprojnë fillimisht me dy grupe: Grupi i Mentorimit dhe Grupi Avokues.
Grupi Avokues nisi sot punën me diskutimet lidhur me përmirësimin e kornizës ligjore në shërbim sa më adekuat të përfaqësimit të barabartë të grave dhe vajzave në sferën politike. Pjesëmarrëset i analizuan dhe diskutuan problemet e identifikuara dhe rekomandimet për përmirësimin e kornizës ligjore të cilat kishin dalë nga takimi i parë i iniciativës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë dhe Vendimmarrje”.
Anëtaret e Koalicionit theksuan edhe njëherë që një nga problemet kyçe që mund të ndikojë në pjesëmarrjen e ulët të grave dhe vajzave në politikë mbetet mos harmonizimi i ligjeve, në veçanti Ligjit për Zgjedhjet dhe Ligji për Partitë Politike me Ligjin për Barazi Gjinore i cili parasheh pjesëmarrjen e grave 50% me 50% në kuvend dhe në asamble. Harmonizimi do të duhej të aplikohet në përputhshmëri edhe në Ligjin për Shërbyesit Civil, veçanërisht në pjesën e pagave, kjo duke marr parasysh edhe mos-financimin e fushatave të grave në zgjedhje lokale apo qendrore.
Duke diskutuar për mungesën e aplikimit të sanksioneve për mos zbatimin e Ligjeve dhe mungesën e harmonizimit të ligjeve, përfaqësueset e Zyrës së Avokatit të Popullit, njoftuan të pranishmet për Opinionin, dokument analizë që është duke u hartuar nga zyra e Avokatit të Popullit dhe që mirret me interpretimin dhe referimin e ligjeve në punët përkatëse të institucioneve. Kjo do të thotë Opinioni do të lehtësoj kuptimin që ligji special, në këtë rast që do të ishte Ligji për Barazi gjinore ligj specifik, e derogon ligjin e përgjithshëm bazik, apo thënë ndryshe ligji më i vonshëm atë më të hershëm. Kështu që, edhe Koalicioni do të mund të thirrej në Opinionin e Ligjeve sa herë që avokohet për harmonizim dhe zbatim të ligjeve.
Më konkretisht, pjesëmarrëset u dakorduan për të inicuar hapa dhe aktivitete konkrete për të dëshmuar frymën dhe njëkohësisht misionin e këtij Koalicioni. Kjo përfshin planifikimin e tubimeve nëpër komuna të ndryshme për të dëshmuar gatishmërinë që të ngrisim dhe të fuqizojmë njëra-tjetrën. Një aktivitet tjertër i rëndësishëm që u rekomandua do të jetë një protestë e përbashkët për të reaguar dhe për të bllokuar proceset zgjedhore nëse gratë dhe vajzat nuk përfaqësohen në mënyrë të barabartë në lista zgjedhore.
Kjo do të dëshmonte se kur solidarizohen gratë dhe ngrisin zërin për ta fuqizuar njëra-tjetrën arrihen ndryshime edhe në mungesë të aplikimit të sanksioneve.
Ky takim është mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), përderisa dy takimet e para të Koalicionit për Barazi të mbajtura gjatë qershorit janë mundësuar nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë.