Medica Kosova trajton traumën e grave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës

Më 12 shkurt organizata Medica Kosova organizoi punëtorinë “Qasja e bazuar në traumën”, ngjarje kjo në kuadër të iniciativës “Qasja e bazuar në traumën në përkrahjen e qasjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në procesin e verifikimit dhe njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale luftës”, iniciativë  e cila zbatohet në bashkëpunim me organizatën Djepi i Buzëqeshjes.

Psikologia nga Medica Kosova, Emirjeta Kumnova tregoi se qëllimi i këtij takimi është ndërtimi i kapaciteteve të shoqërisë civile dhe institucioneve lokale në Gjakovë dhe në Deçan, për qasje të bazuar në traumën gjatë identifikimit dhe referimit të rasteve të dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës. Ajo theksoi se kjo çështje duhet të marrë vëmendje të posaçme nga policët dhe gjykatësit, të cilët kanë qasje të drejtpërdrejt në rastet e dhunës.

Në pjesën e dytë të punëtorisë u trajtua Procesi i Verifikimit dhe njohja e Statusit të Viktimës së Luftës për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës.

Juristja Arbnore Shehu-Bunjaku, përmendi kontributin që Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka dhënë për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale të luftës. Ajo tutje ka treguar se procesi i aplikimit për këtë status është shoqëruar me frikën e grave për të aplikuar, për shkak se ato ende stigmatizohen nga shoqëria.

Kjo nismë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).