Ministria e Financave ka publikuar së fundmi Qarkoren Buxhetore për Komuna 2015/1 dhe Qarkoren Buxhetore 2014/1 – përgatitjet paraprake dhe kufijtë fillestarë të sipërm të Buxhetit për vitin 2015 nga Organizatat Buxhetore Qendrore. Takimet midis Ministrisë së Financave, Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK-së) dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH kanë dhënë rezultat. Për herë të parë Ministria ka vendosur ta përfshijë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në kuadër të Qarkoreve Buxhetare.
Qarkorja Buxhetore për Komunat 2015/1 shpreh nevojën për të punuar për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) duke u mbështetur në praktikat ndërkombëtare. BPGj-ja ndihmon të vihen në dukje efektet e shpenzimeve publike në barazinë midis grave dhe burrave, djemve dhe vajzave. Kjo mund të kontribuojë në efektivitetin dhe transparencën e menaxhimit të financave publike. Qarkorja shpreh qëllimin për ta shtrirë BPGj-në në komuna të tjera të Republikës së Kosovës, në bazë të një projekti pilot i cili është duke u ndërmarrë aktualisht në Komunën e Kamenicës. Qarkorja i nxit komunat të fillojnë ta reflektojnë ndjeshmërinë ndaj çështjeve gjinore në buxhetet e tyre.
Qarkorja Buxhetore 2014/1 reflekton përgatitjet paraprake dhe kufizimet fillestare të sipërme të Buxhetit të vitit 2015 për Organizatat Buxhetore Qendrore, duke përfshirë më shumë hollësi për BPGj-në. Qarkorja 2014/1 e nxit rritjen e efektivitetit dhe transparencës së shpenzimeve publike nëpërmjet ofrimit të indikatorëve më specifik të performancës. Qarkorja sugjeron disagregimin e indikatorëve dhe matjen sipas gjinisë kurdo që kjo është kuptimplotë dhe e mundshme, duke shpjeguar se indikatorët e tillë janë kërkesa të IFN-së dhe KE-së për matjen e performancës së përgjithshme të procesit të buxhetit.