Me 1 nëntor, Ministrja e Ministrisë së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u takuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile për të diskutuar procesin e integrimit në BE dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile. Duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm që ka shoqëria civile në mbështetje të ndryshimeve të qëndrueshme në Kosovë, ajo mirëpriti sugjerimet nga përfaqësuesit e shoqërisë civile për përmirësimin e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit në BE.
RrGK-ja në këtë takim ngriti tri çështje:
– Është me rëndësi thelbësore që të integrohet një perspektivë gjinore në tërë procesin në të gjithë sektorët në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore dhe me Planin II të BE-së për Barazi Gjinore. Në mënyrë që kjo të realizohet siç duhet, ministritë duhet të përfshijnë një buxhet për analizë gjinore në kuadër të veprimeve të planifikuara në ato raste ku ato nuk ekzistojnë tashmë në mënyrë që të sigurohet realizimi i analizës gjinore specifike për të siguruar informata për secilin sektor. Kjo është e nevojshme pasi që analizat e tilla mungojnë në disa sektorë. Analizat e tilla janë kërkesë e Ligjit për Barazi Gjinore, dhe të domosdoshme për planifikim të veprimeve efektive.
– Është me rëndësi thelbësore për Ministrinë e Integrimeve Evropiane që t’i inkurajojë dhe t’i ndihmojë ministritë e linjës në organizimin e konsultimeve me gra të fushave të ndryshme nga organizatat e shoqërisë civile. Këto duhet të organizohen sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që të sigurohen informata për hartimin e dokumenteve të veprimit për programin IPA. Ato duhet të organizohen sipas sektorit, duke i ftuar grupet e shoqërisë civile që punojnë në ato fusha që të ofrojnë kontributin e tyre specifik për programet IPA. Rrjeti i Grave të Kosovës së bashku me 136 anëtarët e tij mund të mbështesë organizimin e takimeve të tilla. Kjo gjithashtu është kërkesë e Planit të BE-së për Barazi Gjinore.
– Ministria duhet të sigurojë që të gjitha dokumentet përkatëse të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe serbe, ose të paktën përmbledhjet e tyre, dhe t’i publikojë ato në internet, duke i vënë kështu në dispozicion të publikut për konsultim para finalizimit të tyre. Ministria duhet të sigurojë kohë të mjaftueshme për përkthim dhe konsultim.
Në të kundërtën, ekziston rreziku që këto dokumente nuk do të zbatohen nga personat që janë përgjegjës për zbatimin e tyre.
Ndër çështjet tjera të diskutuara ishin nevoja për të zyrtarizuar konsultime të rregullta me shoqërinë civile në përputhje me standardet minimale për konsultime me shoqërinë civile; rëndësia e ndryshimit të Ligjit të Punës, në bazë të direktivave të BE-së, çështje kjo e ngritur nga Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore; dhe nevoja për harmonizimin e ligjeve ekzistuese të Kosovës me njëri-tjetrin.
Pasdite, Ministria prezantoi para shoqërisë civile veprime të planifikuara për të cilat qeveria e Kosovës ka kërkuar financim nga BE nga IPA dhe kërkoi kontributin e shoqërisë civile në programet e planifikuara.