MMPH bën thirrje për legalizimin e ndërtimeve pa leje

Vjollca Puka përfaqësuese e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe Merita Behluli Eksperte e Reformave të Ndërtimit – USAID Partneriteti për Zhvillim prezantuan temën “Legalizimi i ndërtimeve pa leje” tek anëtaret e RrGGK, në retreat-in e mbajtur në Durrës më 7-10 nëntor.
     Ato iu treguan të pranishmeve se trajtimi i ndërtimeve pa leje ka filluar dhe se të interesuarit për të legalizuar ndonjë ndërtim (shtëpi, banesë, lokal etj.) mund ta bëjnë këtë deri me 5 Shkurt 2015. Ato poashtu shpjeguan hapat që duhen ndërmarrë për tu paisur me leje të legalizimit.
     Ndër të tjera, u diskutua edhe për arsyet se pse duhet të legalizohen ndërtimet pa leje:
  1. Ndërtimi juaj bëhet i ligjshëm dhe i sigurt për banim;
  2. Kaloni hapin e parë të regjistrimit të ndërtimit tuaj në Kadastër;
  3. Ndërtimi juaj mund të shërbej si hipotekë për marrje të kredive nga bankat;
  4. Komuna juaj do të planifikoj dhe ofroj shërbime për të cilat keni nevojë;
  5. Nuk shqetësoheni se ndërtimi juaj do të rrënohet.

“Nëse nuk e regjistroni ndërtimin pa leje tani, do të humbni mundësinë e legalizimit. Regjistrimi është hapi i parë i procesit të legalizimit të ndërtimit pa leje,” u shpreh përfaqësuesja e MMPH.
    Për të aplikuar për legalizim të ndërtimeve pa leje, duhet të plotësohet formulari standard që gjendet në faqen e internetit në komunën tuaj dhe faqen e internetit të Ministrisë, apo të cilin mund ta merrni personalisht në komunën tuaj. Formulari i plotësuar dorëzohet së bashku me dokumentet e kërkuara dhe dëshminë për taksën që duhet paguar me vlerë prej një njëqind (100) euro. Vetëm aplikacionet e kompletuara do të shqyrtohen. Prandaj, ju duhet të siguroheni që të gjitha dokumentet e kërkuara në nenin 10 të Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje (Ligji Nr. 04/L-188) janë dorëzuar.
    Më pas, pjesëmarreset diskutuan edhe për kampanjën ”Për të mirën tonë” e cila ka për qëllim vetëdijësimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës për të drejtat e femrës për regjistrim të pronësisë dhe trashëgimisë së pronës. Kjo kampanjë po zhvillohet nën patronatin e zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga, si dhe po mbështetet nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGj) pranë zyres së Kryeministrit, së bashku me një numër të konsiderueshëm të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë dhe nga organizata jo-qeveritare vendase të cilat në fokus të punës së tyre kanë të drejtat e gruas në përgjithësi.
    Pjesëmarrëset në retreat-in e RrGGK-së, u dakorduan që të nënshkruajnë një deklratë të përbashkët në përkrahje të kampanjës “Për të mirën tonë”, ku u zotuan se “ne anëtaret e poshtë nënshkruara të RrGGK-së, deklarojmë se do t’i inkurajojmë gratë në komunitetin tonë të regjistrojnë pronat në emrin e tyre. Ne,  gjithashtu premtojmë se do të punojmë më anëtaret e stafit dhe të anëtarësuarit e organazatës sonë të regjistrojnë pronat në emrin e tyre.” Kjo deklaratë u nënshkrua nga 75 pjesëmarrëse.