Edhe këtë muaj, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), vazhdon serinë e publikimeve për punën dhe kontributin e aktivistëve për të drejtat e njeriut në Kosovë.
Kësaj radhe, Blert Morina, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT në Kosovë (CEL), flet më shumë lidhur me historikun e organizatës si dhe përpjekjet e deritanishme për të siguruar realizimin e të drejtave të personave LGBTI në Kosovë.
Po ashtu, Morina flet edhe lidhur me rëndësinë që kanë bashkëpunimet me akterë të shoqërisë civile në këtë rrugëtim, e me theks të veçantë bashkëpunimin dhe përkrahjen e marrë nga RrGK-ja ndër vite.
Historiku i shkurtër i CEL-it
Teksa kujtojmë se që nga viti 2013, CEL avokon për fuqizimin e komunitetit LGBTI në vendin tonë, Morina përmend se CEL ka funksionuar me tri programe kryesore; avokimi dhe lobimi, edukimi jo formal, si dhe mirëqenia e personave LGBTI në Kosovë.
“Për zhvillimin e këtyre programeve, CEL Kosova është angazhuar në avokim dhe lobim të të drejtave të personave LGBTI, duke shtyer përpara edhe rastin e parë të ndërrimit të emrit dhe shënuesit të gjinisë në dokumentet zyrëtare. Më tutje, CEL është angazhuar në procese vendimmarrëse për të drejtat e personave LGBTI, duke përfshirë procesin e draftimit të kodit civil në Republikën e Kosovës, specifikisht për të drejtën në martesë.”, thotë Morina.
Tutje, ai vë theksin tek ofrimi i shërbimeve psikologjike, për të përmirësuar gjendjen emocionale të personave LGBTI. Kjo marrë parasysh vështirësitë që shkaktohen nga diskriminimi, keqtrajtimi apo edhe dhuna psiqike dhe fizike me të cilat ata ballafaqohen.
“Paralelisht është i nevojshëm edhe perfaqësimi i denjë i komunitetit në proces të raportimit të rasteve në institucione relevante, për të cilin CEL ofron këshillim dhe përfaqësim ligjor”, vlerëson ai.
Në aspektin e edukimit jo formal, Morina shton, CEL Kosova vazhdon që nga fillimi i themelimit të ofroj aktivitete të ndryshme të dedikuara për komunitetin LGBTI, përkrahësit si dhe shoqërinë kosovare në përgjithësi.
“Gjithashtu, vlen të ceket se CEL ka kontibuar edhe në rritjen e vetëdijes të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore për të përmirësuar shërbimet për personat LGBTI dhe për të trajtuar këto çeshtje me ndjeshmëri dhe profesionalizëm.”
Institucionet të cilat kanë qenë pjesë e trajnimeve të CEL Kosova janë: Policia e Kosovës, Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës.
Avokimet e përbashkëta të CEL-it dhe RrGK-së
Në këtë rrugëtim të rëndësishëm, CEL-i ka bashkëpunuar edhe me RrGK-në.
Në këtë pjesë të bisedës, Morina tregon cilat ishin aktivitetet dhe avokimet më të rëndësishme që të dy organizatat kanë ndërmarrë së bashku.
“CEL ka bashkëpunuar ngushtë me RrGK-në në aspekte të ndryshme drejt ndryshimit të shoqërisë kosovare në nisma të shumta. RrGK së bashku me CEL ka qenë bashkëorganizatore në organizimin e 8 marsit, për të shënuar ditën ndërkombëtare të gruas dhe duke adresuar çështje të rëndësishme për të drejtat e grave.”
Gjithashtu, edhe nisma për shënimin e ditës së të drejtave të njeriut është organizim i përbashkët me CEL Kosova, iniciuar nga Zyra e Avokatit të Popullit.
“Ndër të tjerash, RrGK gjithashtu ka përkrahur organizatën CEL duke ju bashkuar sfidës për ndërrimin e emrit dhe shënuesit të gjinisë për personat transgjinor, si dhe është bashkuar në procesin e draftimit të kodit civil, për të përfshirë barazinë në martesë ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës.”
Vetëm së bashku arrihen qëllimet
Vlen të përmendet se CEL-i dhe RrGK-ja për ndryshimin e Kodit Civil , mes tjerash, për të kërkuar që neni i Kodit Civil për martesën të jetë në përputhje me përkufizimin e kushtetutës për të drejtën e krijimit të familjes, e cila u garantohet të gjithëve në mënyrë të barabartë.
Ministria e Drejtësisë ka pranuar shumicën e këtyre komenteve, mirëpo përfshirja e tyre mbetet të shihen gjatë procedimit të kodit në Kuvend.
Morina tregon sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim për të çuar përpara të drejtat e komunitetit LGBT në Kosovë.
“Të gjitha arritjet madhore të CEL Kosova janë rezultat i bashkëpunimeve me akterë të ndryshëm, duke përfshirë edhe RrGK si një nga organizatat më përkrahëse të rrugëtimit tonë. Kjo përkrahje bënë që rrugëtimi jonë për të drejtat e personave LGBTI të lehtësohet si dhe të pershpejtohen proceset për vendime në favor të personave LGBTI në Kosovë.”
“CEL Kosova është gjithmonë falenderuese për përkrahjen dhe ofrimin e ekspertizës së e RrGK dhe besojmë fuqishëm që do të arrijmë qëllimet tona duke qenë kah njëra tjetrës.”, shton ai.
Sfidat për personat LGBT dhe të drejtat e grave në Kosovë
Për fund, Morina tregon cilat mbesin vështirësitë kryesore për të drejtat e komunitetit LGBT dhe të grave në Kosovë, pa u kufizuar në një fushë të vetme.
“Sfidat kryesore të personave LGBTI, fatkeqësisht vazhdojnë të mbesin të njëjta, duke marrë parasysh që ndryshimet madhore ndodhin kryesisht në Prishtinë, duke listuar si sfidën më të madhe njohjen e ekzistencës së personave LGBTI në Kosovë.”, thotë ai,
Ndërsa sa i përket barazisë gjinore, ai konsideron se një nga sfidat kryesore mbetet trajtimi i pabarabartë dhe mos-ofrimi i mundësive të barabarta për gratë.
“Këto probleme shoqërore janë thelbi i problemeve të tjera të cilat kufizojnë personat LGBTI edhe gratë të inkuadrohen në shoqëri dhe të kenë qasje të barabartë në edukim, siguri, punësim dhe zhvillim personal apo profesional.”
Megjithatë, Morina mbetet optimist se rrugëtimi i tyre për barazi do të fuqizohet çdo ditë e më shumë.
LEXO EDHE:
Aktivistja Lokaj: Falë RrGK-së krijuam partneritete për arritjen e barazisë gjinore
Krasniqi: RrGK përçon një mesazh të rëndësishëm- atë të fuqisë së grave