“Mos i jep zemër dhunuesit”, RrGK me aksion kundër dënimeve të ulëta për vrasësit e grave 

Me distancë fizike, maska e numër të pakët të pjesëmarrësve për shkak të kërkesës së Policisë së Kosovës, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka ngritur edhe një herë zërin kundër dhunës ndaj grave në Kosovë.  

“Mos i jep zemër dhunuesit”, “Nuk ka arsyetim”“Sa herë po doni me na vra”, janë disa prej parullave që stafi i RrGK-së mbante në duar në aksionin e organizuar sot para Prokurorisë në Prishtinë për të ngritur zërin kundër dhunës e vrasjes së grave dhe kundër dënimeve të ulëta që institucionet po shqiptojnë për vrasësit e grave.  

“RrGK sot po e mban një tubim të kufizuar me pesë veta, për të shprehur mllefin ndaj vrasjeve të grave të ndodhura kohët e fundit. Duke ditur se vendimet  i merr Gjykata për dënimin e kryesve të veprave penale, ne jemi mbledhur para Prokurorisë që të kërkojmë që kualifikimin e veprave për dhunë në familje apo tentim vrasje t’i vendosë ashtu siç janë, pasi që kjo ndikon edhe në vendimet e Gjykatës”, ka thënë Erza Kurti, Koordinatore kundër dhunës me Bazë Gjinore, RrGK.  

“Njëherësh kërkojmë ndihmë nga ta që të bëjnë ankesë në Gjykatë, që rasti i Pjetër Ndrecaj të kthehet në rigjykim, sepse ulja e dënimit të tij është e papranueshme”, ka shtuar Kurti para gazetarëve.  

“Jeta pa dhunë me bazë gjinore” mbetet ndër programet kyçe të RrGK-së. Çdo ditë ne angazhohemi si me aktivizëm po ashtu edhe përmes lobimit në institucione që gratë dhe vajzat të jetojnë një jetë të lirë nga dhuna me bazë gjinore, këtu përfshihet përmirësimi i vetëdijësimit dhe vëmendjes në mesin e zyrtarëve dhe qytetarëve, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore duke përfshirë dhunën në familje, përdhunimin dhe ngacmimin seksual.  

Lexoni KËTU reagimin e RrGK-së me rastin e uljes së dënimit për Pjetër Ndrecajn.  

KËTU mund të ndiqni transmetimin e drejtpërdrejt të këtij aksioni të RrGK-së.  

Nëse njihni dikë që ka përjetuar dhunë dhe rasti nuk ka marrë trajtim të duhur institucional ju lutemi ndjehuni të lirë të kontaktoni me ne.